Prishtinë, shtyllat e energjisë nëpër ballkone të objekteve kolektive

Shtyllat e energjisë elektrike të stërngarkuar me tela po rrezikojnë jetën e shumë njerëzve në kryeqytet. KEDS thotë se do rregullohen, por nuk din kohë kur dhe as mënyra se si do të evitohet rreziku.

Lajme

13/07/2014 19:44

Rrugët në lagjet përreth parkut të qytetit në Prishtinë, pas ndërtimeve të shumta e veçanërisht objekteve të banimit kolektiv, kanë bërë që ballkoni i disave prej tyre të jetë ngjitur me këto shtylla, të cilat aq shumë tela mbanë saqë ekziston frika edhe të kalosh andej pari. 

Rrugët ‘Gystav Mayor’, ‘Halil Alidemaj’ e ‘Mustafa Kruja’ afër Parkut të qytetit, janë të ‘përmbytura’ nga telat e energjisë elektrike. 

Ato vërehen në çdo cep të këtyre rrugëve e të cilat janë edhe të lidhura mjaftë poshtë. 

E për të rregulluar këto shtylla e edhe telat e energjisë elektrike, në mënyrë që të sigurohet jeta e banorëve në këto rrugë, deri më tani nuk janë kujdesuar as KEK-u, e tani më as KEDS-i. 

Ndërsa, Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it, ka thënë për KosovaPress se KEDS-i ka arritur planin për ndryshim dhe përmirësim të rrjetit elektrik, por sipas tij, nevojitet kohë, pasi që në ato lagje dhe në disa të tjera, rrjeti është mjaft i vjetër. 

Se si do rregullohet ky rrjet, a do vendosen shtylla të reja elektrike, ose ku do jenë të vendosur telat e energjisë elektrike, Shkodra tha se janë ekspertët të cilët do vendosin për një gjë të tillë.