Prishtinali vetëm me pagesë

Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të jetojnë në kryqyetet, do tu duhet që të paguajnë një taksë. Shumën e kësaj takse, do ta përcaktojë Kuvendi Komunal.

Lajme

13/03/2018 14:02

Kështu është propozuar të hënën nga Komisioni për Administratë Puiblike, Qeverisje Lokale dhe Medie, në krye me Nait Hasanin. Ka qenë vet kryetari Nait Hasani i cili ka propozuar që kjo pikë të bëhet pjesë e Ligjit për Prishtinën, që do t’i dërgohet shumë shpejt Kuvendit për miratim.

“Neni 19, shtohet paragrafi i ri 8, si vijon: “Kryeqyteti cakton taksë shtesë për kryeqytetin””, thuhet në amendamentin e 11 të këtij Ligji.

Ndryshe, Buxhetit të Komunës së Prishtinës, secilin vit tash e tutje do ti shtohen edhe nga 4 milionë euro tjera, me mundësi rritjeje për aq sa rritet Buxheti i Kosovës. E për katër vitet e ardhshme kjo shtesë pritet të kalojë në mbi 2o milionë euro, shkruan Infokusi.

Kjo pas mbështetjes së amandamentit të Kreut të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhikut.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur të ju njoftoj se sot në Kuvend u mbështet amandamenti im bërë Ligjit të Kryeqytetit – me të cilin ndryshim Prishtina do t’i marrë 6% të grantit në vend të 4% sa parashihej fillimisht me ligj”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se me këto mjete do të mund të ndërtohen plot rrugë, çerdhe, shkolla apo edhe qendra mjekësore në Prishtinë. Gjersa ka shtuar se pavarësisht se Prishtina vazhdon të jetë kontribuesi më i madh i Buxhetit të Kosovës; por njëkohësisht edhe përfituesi më i pakët i investimeve kapitale./Infokusi