Prishtina shkatërron Trepçën

Sigal Prishtina është finalisti i parë i Kupës së Kosovës në basketboll. Skuadra nga kryeqyteti mposhti Trepçën me rezultat të thellë 92:65.

Sport

06/03/2015 19:03

Sipas parashikimeve, Sigal Prishtina nuk lejoi befasi dhe mposhti Trepçën me rezultat të thellë 92:65, duke siguruar kualifikimin për në finalen e Kupës së Kosovës në basketboll.

Pavarësisht mungesës së Dardan Berishës së lënduar, Prishtina hasi në rezistencë të mitrovicasve vetëm në periudhën e parë të lojës, kurse më pas u shkëput në rezultat duke shënuar fitore të merituar.

Plejmejkeri Jordan Hulls ishte realizatori më i mirë te Prishtina me 26 pikë, kurse Besnik Azemi ishte më i dalluari te Trepça me 20 pikë.

Në finalë, ata e presin fituesin e duelit Ylli – Peja që zhvillohet sonte.