Prishtina – Peja, akti final

Sigal Prishtina dhe Peja do të përballen sonte në kryeqytet, në ndeshjen e parë finale të ‘Play-Offit’ në ETC Superligë. Verdh e zinjtë do të mundohen ta mbrojnë titullin, kurse bardh e kaltrit ta vazhdojnë dominimin ndaj pejanëve.

Sport

21/05/2014 10:24

Sigal Prishtina dhe Peja do të zbresin sonte në parket në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në ndeshjen e parë finale të ‘Play-Offit’ në ETC Superligën e Kosovës në basketboll.

Të dyja skuadrat janë më të motivuara se kurrë për ta fituar kurorën e më të mirit.

Pejanët synojnë ta mbrojnë titullin që e fituan vitin e kaluar. “Nuk kemi çka të humbim në serinë finale, ne nuk do të dorëzohemi. Do të mundohemi të bëjmë lojë të mirë dhe nëse na jepet rasti, të fitojmë në Prishtinë”, deklaroi fillimisht basketbollisti i Pejës, Samir Shaptahoviç.

“Por, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Do ta japim maksimumin nga vetja dhe nuk do të dorëzohemi për asnjë moment”, vazhdoi ai.

Në anën tjetër, bardh e kaltrit synojnë ta vazhdojnë dominimin ndaj pejanëve këtë sezon, duke e mbyllur me titull sezonin fantastik në të cilin kaluan.

“Nuk do të jetë e lehtë dhe nuk guxojmë të bëjmë gabime si në ndeshjen e fundit. Jemi përgatitur maksimalisht dhe do të mundohemi sa më shpejtë t’i bëjmë tri fitore dhe për t’i dhënë fund dilemës së kampionit”, theksoi basketbollisti prishtinas, Alban Veseli.