Prishtina mposht Ballkanin dhe ruan kreun e tabelës, fitojnë edhe Trepça 89 e Gjilani

Skuadra nga kryeqyteti ka shënuar fitore të rëndësishme në xhiron e 15-të të Superligës së Kosovës.

Sport

11/11/2018 15:22

Prishtina e ka mposhtur me rezultatin 2:0 skuadrën e Ballkanit, shkruan lajmi.net.

Golin e parë për vendasit e realizoi sulmuesi nga Shqipëria, Marjo Morina, në minutën e 65’ të ndeshjes.

Prishtina e vazhdoi presionin e lartë dhe menjëherë pas katër minutave, ishte Meriton Korenica i cili me një gol spektakolar vulosi fitoren e “bardh e kaltërve”.

Kjo është ndeshja e 11-të e skuadrës së udhëhequr nga Mirel Josa që nuk pranon gol këtë edicion.

Me këtë fitore Prishtina grumbullon 36 pikë, duke u shkëputur kështu me katër pikë nga Feronikeli, të cilët kanë një ndeshje për të luajtur.

Në dy ndeshjet e tjera të luajtura sot, edhe  Trepça 89 ka shënuar fitore ndaj KEK-ut me rezultat 4:1, kurse Gjilani mposhti Drenicën me rezultatin minimal 1:0./Lajmi.net/