Prishtina ka shpenzuar 10 mijë euro për viza për ndeshjen në Gjibraltar

.

Sport

24/06/2018 10:24

10 mijë euro vetëm për aplikimet e dy palë vizave ka paguar skuadra nënkampione dhe fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina.

Ende nuk dihet se sa mund të shkojnë shpenzimet në total, thotë zëdhënësi i klubit prishtinas, Avni Durmishi.

Kjo do të mësohet pas përfundimit të rrethit para-eliminator të kualifikimeve në Ligën e Evropës, aty ku Prishtina do të përballet me skuadrën nga Gjibraltari, FC Europa, që sezonin e fundit fitoi Kupën e këtij vendi, raporton KTV.

Zëdhënësi i skuadrës “Bardhekaltër”, foli edhe për vendin e Gjibraltarit, dhe tregoi se është ndër më të shtrenjtat. Skuadra e Prishtinës do të udhëtojë në Gjibraltar më 26 qershor, kurse pas dy ditësh do ta zhvillojë ndeshjen e parë që fillon në ora 18:00.

Ndeshja e kthimit do të luhet në Mitrovicë në stadiumin “Adem Jashari” më 5 korrik, në ora 19:00.