Prishtina i përgjigjet Beogradit me konsensus të plotë (pa Listën Serbe) për Ligjin mbi “Trepçën”

Dy partitë më të mëdha opozitare, Vetëvendosje dhe AAK, por edhe Nisma për Kosovën, do të përkrahin nesër në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.

Lajme

18/01/2015 15:19

Për këtë projektligj, në të cilin përfshihet edhe vënia në votim për privatizimin e ndërmarrjes “Trepça”, Vetëvendosje, sipas zëdhënësit të saj, Erzen Vraniqi, do të votojë pro në parim.

“Po do të votojmë në parim”, është përgjigjur Vraniqi për Indeksonline.

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi ka thënë se partia e saj do ta përkrahë në parim këtë ligj, me qëllim që Trepça të mos shkojë në falimentim, për arsye të interesave të punëtorëve.

“Në parim do ta përkrahim, me qëllim që Trepça mos të shkojë në falimentim për arsye të interesave të punëtorëve, mirëpo mbi të gjitha për interesat e vendit. Mirëpo do të kërkojmë amendamente përkatëse në mënyrë që mos të manipulohet sikur me disa ndërmarrje të tjera publike, e të cilat menaxhohen nga militantët partiakë, që shiten kur të don qeveria, dhe kufizohen në zhvillim. Ne do të dorëzojmë amendamente që mbrojnë Trepçën si pasuri kombëtare për interesa të punëtorëve, të të gjithë minatorëve që historikisht e tradicionalisht kontribuan në historinë e Trepçës”. 

Ndërkaq, në një prononcim për lajmi.net, deputeti i Nismës për Kosovë, Zafir Berisha tha se çështja e Trepçës ka ardhur shumë shpejt në Parlament, prandaj ata si parti kanë vendosur që nesër (të hënën), një orë para seancës parlamentare të marrin vendim për këtë çështje.

Por, Berisha shprehet i bindur se Nisma do të votojë pro, pasi që ai vlerëson se kalimi në pronësi të shtetit e Trepçës, është në interesin e qytetarëve të Kosovës.

“Kjo çështje ka ardhë shumë shpejt për tu diskutuar në Parlament. Sigurisht që qëndrimi i Nismës do të jetë në favor që Trepça të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Por, sido që të jetë, ky vendim i Qeverisë ka ardhur aq shpejt sa që nuk kemi pasur kohë që ta trajtojmë. Ne e kemi lënë një orë para seancës që të takohemi dhe sigurisht se do të kemi qëndrim që është në interes të Kosovës, pavarësisht edhe presioneve të Serbisë edhe të ndokujt tjetër ndaj kësaj çështjeje”, tha Zafir Berisha për lajmi.net.

Lista Serbe, ndërkaq, është shprehur kundër këj ligji. Madje, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, dhje ministrat në Qeverinë e Kosovës, Jabllanoviq dhe Mariq, kanë qenë sot në Beograd dhe janë deklaruar kundër Ligjit mbi Trepçën, kurse krerët e katër komunave serbe në veri janë kërcënuar se do të ndërpresin bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës.