Prishtina ëndërron, por humb nga kampioni

Sigal Prishtina ka humbur nga kampioni i Ligës Ballkanike, Galil Gilboa, në gjysmëfinale të këtij kompeticioni me rezultat 86:74. Çereku i katërt ishte fatal për bardh e kaltrit, të cilët dominuan në tri periudhat e para.

Sport

25/04/2014 23:02

Galil Gilboa është finalisti i dytë, pas Levskit, në fazën finale të Ligës Ballkanike. 

Skuadra izraelite e mposhti Sigal Prishtinën me rezultat 86:74, në ndeshjen e zhvilluar sonte në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.

Ndeshja ishte mjaft e nivelizuar dhe asnjëra skuadër nuk lejonte që tjetra të shkëputej në rezultat.

Bardh e kaltrit ishin për një nuancë të vogël më të mirë në pjesën e parë. 

Ata e fituan çerekun e parë 21:19, ndërsa në atë të dytë po ashtu ishin në avantazh, 20:18, për të shkuar në pushim me epërsi prej katër pikësh, 41:37.

Edhe 10 minutëshi i tretë ishte mjaft i nivelizuar dhe, edhe në këtë periudhë, organizatori i këtij evenimenti ishte paksa më i mirë, 23:22.

E atëherë kur duhej, prishtinasit patën rënie. Mysafirët shkuan në një seri prej 10:2, të ta kthyer rezultatin në të mirë të tyre.

Ata e ruajtën këtë avantazh me kujdes deri në fund, për ta fituar ndeshjen dhe për të shkuar në finale të ‘Final-Four’.

Tek prishtinasit, më i miri ishte Blerim Mazreku, që shënoi 21 pikë, kurse tek Gilboa shkëlqeu më së shumti De Shawn Sims, me 20 pikë.

Kurse, Sigal Prishtina, e cila e pati mbështetjen e jashtëzakonshme nga Plisat, do të luajë kundër ekipit Balkan, që humbi nga Levski në gjysmëfinalen tjetër.