Prishtina e Tyre

Isa Mustafa dhe Shpend Ahmeti debatuan për Prishtinën e tyre për më shumë se dy orë në debatin e parë direkt, në RTK. E respektuan, por edhe e ngacmuan njëri- tjetrin. Në fund, shtrënguan duart.

Lajme

08/11/2013 22:30

Isa Mustafa dhe Shpend Ahmeti kanë debatuar për më shumë se dy orë në Radio Televizionin e Kosovës lidhur me projektet e tyre për Prishtinën e periudhës 2013- 2017.

Debati i shumëpritur në mes të dy kandidatëve për Kryetar të Prishtinës është zhvilluar me respekt të ndërsjellë.

Përderisa Isa Mustafa, i cili pretendon ta rimerr postin e Kryetarit të Prishtinës, tentoi që t’i mbrojë 6 vjet qeverisjeje, kundërshtari i tij, Shpend Ahmeti, në mënyrë shumë të kudjeshme e ka kundërshtuar Mustafën për mospunë gjatë kohës së tij, por edhe të subjektit të tij politik në periudhën e mëhershme.

Çështjet e përmendura gjatë gjithë fushatës, si uji, kanalizimi, ndërtimet pa leje, transporti publik, çerdhet, etj., kanë qenë temat që e kanë ndryshuar formën e deritashme të debateve zgjedhore.

“Sot në Prishtinë nuk ka çerdhe, nuk ka shkollim cilësor. Duke e ditur se shumica e popullatës janë nën moshën 25 vjeçare, ky është një drejtim në të cilin ne duhet të punojmë më së shumti”.

“Ne kemi ofruar shujta, uljen e peshës së çantave të rënda, departizimin e shkollave, kurse private dhe përmirësimin e rezultateve të cilësisë së arsimit”.

Por, Mustafa e ka kundërshtuar Ahmetin në pikat e paraqitura.

“Nuk është edhe aq keq sa e paraqet Shpendi. Kemi nisur një ide për krijimin e çerdheve me partneritet publiko-privat, por ajo nuk ka hasur në mirëkuptim”.

“Sa i përket arsimimit parashkollor, ne kemi planifikuar aneksime dhe ndërtimin e shkollave, në mënyë që të ketë sa më pak nxënës në një klasë”.

“Ne dëshirojmë që të ndryshohet Ligji për Arsim. Cilësinë e kontrollon Ministria e Arsimit”, ka thënë Mustafa.

Edhe për transportin publik, rivalët kanë paraqitur projektet e tyre.

Shpend Ahmeti ka thënë se me të në krye të Prishtinës, do të zgjerohen hyrjet në qytet dhe rrugët. Ai ka thënë se do ta fusë në funksion sistemin GPS, me të cilin qytetarët do të orientoheshin për vendndodhjen e autobusit të cilin janë duke e pritur.

“Duhet bërë një studim se sa makina qarkullojnë dhe ku janë vendet që kanë më së shumti ngecje, e pastaj të caktohen linjat”.

Ahmeti ka kërkuar të gjendet një zgjidhje që punëtorët e trafikut urban të punojnë për t’i marrë pagat e tyre, të cilat, sipas tij, nuk janë duke i marrë tash e sa muaj.

Ndërsa Isa Mustafa ka përkujtuar se Trafiku Urban është duke u menaxhuar nga Komuna që nga qershori i vitit të kaluar, pasi që deri në atë kohë ka qenë nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Ne e kemi bërë një studim për trafikun urban. Ne nuk do t’i përzihemi trafikut urban për çdo çështje. Ne tanimë jemi duke e përdorur GPS në linjën 4”, ka thënë Mustafa.

Duke u ndalur te furnizimin me ujë i qytetarëve, Mustafa ka folur për një projekt prej 60 milionë euro me Komisionin Europian dhe Bankën Gjermane për Zhvillim. Ai ka thënë se projekti është në realizim e sipër.

Ndërkohë, ai pranoi se ka pasur ngecje në projektin për ndërtimin fabrikës në Shkabaj dhe rregullimin e rrjetit.

Por, Shpend Ahmeti ka thënë se problemi qëndron në humbjet, jo vetëm në rrjet, por edhe qasjet ilegale që nuk faturohen.

“Duhet që komuna ta ketë prioritet ujin. Do të formojmë Drejtorinë e Ujit. Një pjesë e shpenzimit do të jetë falas për rastet sociale”.

Ai e ka akuzuar Mustafën se ka filluar të flasë për ujin në fushatë vetëm pasi Lëvizja Vetëvendosje e ka ngritur këtë problem.

Sipas Ahmetit, Mustafa është arsyetuar gjatë fushatës së “Prishtina ka probleme më ujë për shkak se SHIK’u po e menaxhon ujësjellësin rajonal”.

“Mos e përmend SHIK’un. SHIK’u le t’i bëjë punët e veta”, ka ndërhyrë Mustafa.

“Jo, ishalla nuk i bën punët e veta, zotni Mustafa”, ka reaguar Ahmeti.

Duke folur për trajtimin e ujërave të zeza në qytet, Ahmeti ka thënë se ky është një problem bazik për qytetarët.

Ndërsa Mustafa është shprehur në Prishtinë do të ndërtohet një fabrikë për trajtimin e ujërave të zeza, e cila do të kushtojë 60 milionë euro.

Duke folur për ndërtimet pa leje, Ahmeti ka kritikuar këtë dukuri e cila e ka përcjellë Prishtinën gjatë tërë periudhës së pasluftës, ndërsa Mustafa është përpjekur t’ia atribuojë një pjesë të fajit administrimit të Kosovës nga UNMIK’u.

“Ka kaos urbanistik. Ka ardhur koha që të shpëtojmë cfarë mund të shpëtojmë. Duhet që përfundimisht të ndalim ndërtimet pa leje, që ta funksionalizojmë ligjin për ndërtime”.

“Nëse nuk keni arritur deri më tani, si duhet t’u besojmë juve që do t’i ndalni në të ardhmen?”, e ka pyetur Ahmeti.

Ndërsa Mustafa është përgjigjur:

“Ndërtesat që janë të ndërtuara me leje i plotësojnë të gjitha kushtet”.

“Gjatë kohës së UNMIK’ut është ndërtuar pa kontroll, kurse ne tash nuk jemi duke toleruar”, ka thënë Mustafa.

Kjo ishte Prishtina në vizionet e e Mustafës dhe Ahmetit.

Të dy kandidatët kanë qeshur disa herë gjatë debatit. 

Vetëm njëri prej tyre do të qeshet më 2 dhjetor.