Prishtina e mbyll e katërta

Sigal Prishtina është mposhtur nga ekipi Balkan me rezultat 73:79, në ndeshjen e vlefshme për pozitën e tretë në Ligën Ballkanike. Edhe këtë radhë, çereku i katërt ishte fatal për bardh e kaltër.

Sport

27/04/2014 17:01

Sigal Prishtina e ka mbyllur sezonin në Ligën Ballkanike në pozitën e katërt. Skuadra bardh e kaltër pësoi humbje nga ekipi bullgar, Balkan me rezultat 73:79, në ndeshjen e zhvilluar të dielën në kryeqytet.

Njëjtë si në duel me Galil Gilboan, edhe ndaj bullgarëve, prishtinasit u treguan të papërqendruar në çerekun e katërt, i cili ishte fatal për ta.

Tek skuadra mysafire, më i dalluari ishte Pavel Marinov, i cili ka realizuar 18 pikë. Ndërkaq, tek vendësit Blerim Mazreku ishte në formë, duke shënuar 25 pikë, por që ishin të pamjaftueshme për ekipin kosovar.

Sidoqoftë, ky debutim i prishtinasve mund të konsiderohet mjaft i suksesshëm, pasi arritën të futen në fazën finale që në sezonin e parë.