Prishtina e madhe

Sigal Prishtina zhvilloi një ndeshje heroike, duke mposhtur kampionin në fuqi të Ligës Ballkanike në basketboll, Galil Gilboa me rezultat 81:78. Dardan Berisha shkëlqeu me 33 pikë.

Sport

05/02/2014 18:25

Sigal Prishtina mposhti kampionin në fuqi të Ligës Ballkanikë në basketboll, Galil Gilboa me rezultat 81:78.

Vendasit me Dardan Berishën në pesëshen e parë e nisën mirë ndeshjen, duke u shfaqur të vëmendshëm në mbrojtje, dhe efikas në sulm.

Çereku i parë u mbyll me epërsi të prishtinasve me rezultat 20:15. Kurse, në vazhdim Sigal Prishtina shpërtheu me treshet e Berishës dhe Tay Waller duke krijuar avantazh deri në 14 pikë. Pjesa e parë e takimit u mbyll me rezultat 42:34.

Mysafirët u përmirësuan në çerekun e tretë duke u afruar në rezultat 56:52.

Periudha e fundit e ndeshjes ishte një dramë e vërtetë, pas së cilës me plot meritë fitoi Sigal Prishtina, me rezultat 81:78. Berisha ishte fantastik me 33 pikë. Sigal Prishtina mori kryesimin në tabelë me 18 pikë pas bilancit 7-4, aq sa ka edhe Levski i Sofjes.

Në ndeshjen tjetër, Peja shënoi fitore të madhe duke mposhtur Levskin e Sofjës me rezultat të thellë 81:69. Samir Shaptahovic ishte realizatori më i mirë me 22 pikë i ndihmuar nga Fred House me 18.