Prishtina – Drita e ndan edhe LDK-në, Haziri me Dritën, Abrashi me Prishtinën

Derbi i madh i futbollit kosovar mes Prishtinës dhe Dritës do të luhet ditën e diel në Pejë.

Lajme

18/05/2018 14:37

Dy skuadrat do ta luajnë ndeshjen vendimtare për titullin e kampionit ku fitorja me më shumë se dy gola e bën Prishtinën kampione, ndërsa për Dritën çdo rezultat tjetër është i mirë.

Kjo ndeshje e ka ndarë në dysh edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në konferencën e zakonshme për shtyp, ditën e sotme ishin prezent kryetari i Gjilanit, Lutif Haziri dhe ish-kandidati për Komunën e Prishtinës dhe aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Arban Abrashi.

Në këtë konferencë nuk kishte se si të mungonte pyetja se kush do të bëhet kampion i Kosovës në futboll.

“Besojë shumë se Drita do të bëhet kampion. Rikthimi i Kupës në Gjilan do të na bënte krenar”, ka deklaruar i pari i Komunës së Gjilanit.

Ndërkohë Abrashi është përgjigjur shkurtimisht se beson në fitoren e Prishtinës.

“Besoj se Prishtina do ta marrë titullin”, tha Abrashi ku përgjigjet e tyre sollën të qeshura në sallë.

Prishtina dhe Drita përballen në Pejë të dielën me fillim nga ora 16:00. /Telegrafi/