Prishtina do t’i pranojë garancitë e kompanive të sigurimit të licencuara nga BQK

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim t’i pranojë të gjitha instrumentet e licencuara të institucioneve financiare që licencohen tash e tutje edhe nga Banka Qendrore e Kosovës.

Lajme

25/02/2015 16:50

Kështu është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate për media, të mërkurën, sipas të cilit ky vendim ka ardhur si përfundim i marrëveshjes së Komunës së Prishtinës, Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Kosovës.

“Pas diskutimeve të Komunës së Prishtinës me Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës, si dhe pas diskutimeve me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), Komuna e Prishtinës ka pranuar kërkesën e Shoqatës së Ndërtimtarëve për të pranuar garancitë e kompanive të sigurimeve si të vlefshme dhe të barabarta me garancitë e ofruara nga bankat komerciale në Kosovë”.

“Përgjegjësinë për licencimin dhe monitorimin e të gjitha institucioneve financiare në Kosovë e ka BQK-ja, prandaj Komuna do t’i pranojë të gjitha instrumentet e institucioneve financiare të licencuara nga BQK”, njofton komunikata.

Komuna e Prishtinës synon mbledhjen e të gjitha taksave të ndërtimit të parapara me ligj për të ofruar shërbime sa më të mira.