Prishja e Politikës

Është shumë vështirë që brenda terminologjisë dhe përvojës së politikës në demokraci, të gjendet shpjegimi për ngjarjet e fundit në politikën kosovare.

Opinion

05/11/2015 10:10

Kudo, siç thuhet, ka vend për Platonin dhe mendimet e tij. Ai, ta zëmë, mund të na vijë në ndihmë edhe ne në Kosovë, në rrethanat e tanishme politike, me interpretimin që ia ka bërë dukurisë së konfliktit, përmes dy nocioneve të veçanta: Polemos dhe Stasis.

Për Platonin, polemos nuk lë vend për kurrfarë kompromisi, kur ndodhë përplasja në mes të dy palëve. Ai që pëson disfatë, atë e pret shfarosja. Prandaj, konfrontimi i këtillë është total, i pamëshirshëm, dhe atij duhet ikur, sa më shumë që është e mundur. Stasis, është një koncept krejt i ndryshëm prej Polemos-it. Në te ndodhë konfrontimi midis dy palëve, por fituesi detyrohet ta ruajë humbësin, për më tepër, bashkëjetesa me te, me humbësin, jo vetëm që është e dëshiruar, por edhe e domosdoshme. Dhe pas një kohe, natyrisht, harrohet çfarë ka ndodhë më parë.

Mund të supozohet që është fare lehtë të ‘përkthehet’ Platoni, në nëntorin e këtij viti, në politikën dhe në shoqërinë kosovare. Edhe para këtij shpjegimi që na mbërrin prej Filozofisë antike, ndër ne është folur për një tjetër nocion, që vjen prej politikës dhe ekonomisë bashkëkohore, e që njihet si ‘zero sum game’. Ky fenomen nënkupton që humbja e dikujt, të përfshirë në një kontest politik dhe ekonomik, është e plotë, e qind për qindtë, gjë që vlen edhe për fituesin, i cili pra i merr të gjitha.

Pasi që aktualisht në politikën kosovare është në fuqi teoria e mirënjohur popullore ndër ne, ‘Bëne Zot llugë’, duket që te dy këto shpjegime të paraqitura më parë, janë tej mase aktuale tek ne.

Me një ambient të këtillë çfarë mbizotëron në Kosovë, është gjithsesi absurde të flitet për ‘fitore politike’, siç ka ndodhë të dëgjojmë kohëve të fundit. Natyrisht, një interpretim i saktë i kësaj fitoreje na vjen prej atij kushëriri a paraardhësi të largët, Pirros, i cili njihet me atë mësimin a pësimin e tij të njohur që shprehej me fjalët, që me dy fitore të kësisojta, çfarë i kishte arritur ai në fushëbetejë, humbjet nuk kanë çka të duhen fare.

Tabllot si ato që janë parë disa herë në Kuvendin e Kosovës, e bëjnë me siguri Pirron të jetë i mirëpritur në shpjegimin e ngjarjeve në Kuvend, njëlloj si Platonin në interpretimin e politikës së sotme kosovare.

Politika, cilado qoftë ajo, e përfaqësuar prej kujtdo qoftë, e cila synon ta instalojë logjikën e prishjes së plotë, për mëkëmbjen e ndreqjes totale, nuk ka si të mos ndihmojë, thellësisht madje, zhvillimin që ecë prej politikës së prishjes (totale), tek prishja e politikës.

Në politikë, as në jetën e zakonshme në fakt, nuk ka situata të tilla qind për qind të qarta, qind për qind përjashtuese, qind për qind prishëse ose ndreqëse. Politika, zaten, në thelbin e saj, veçmas në një shoqëri demokratike, çfarë pretendon që është edhe shteti i Kosovës, para dhe mbi të gjitha është organizim që ka për synim primar të mbajë stabilitetin në vend, dhe në këtë frymë, të ketë në pronësinë e saj (publike, këtu nuk ka çka të kërkon prona private), mekanizmat për zgjidhjen e të gjitha problemeve, ekzistenca e të të cilave vë në mëdyshje qëndrueshmërinë e një shoqërie, e një shteti.

Prandaj, gjithçka mund të bëhet dhe mund të provohet në një shtet, në një politikë, pos të ndryshohet kjo rregull elementare e politikës, e cila natyrisht, nuk ka si to mos kodifikohet me kornizën legale të një shteti, duke iu shmangur kështu interpretimit subjektiv të saj.

Shoqëria e organizuar në politikë që karakterizohet si sistem demokratik, me katalogun e të drejtave përbrenda konceptit të liberalizmit, bën gjithçka për t’i ikur një tatëpjete politike, ekonomike dhe sociale të pakontrollueshme, që rrezikon me themel qëndrueshmërinë e shtetit. Politika në një shtet demokratik, jo vetëm që vet është e parashikueshme dhe e kuptueshme, jo vetëm që është vet garantuese e stabilitetit të një shteti, por për më shumë, si e tillë, përpiqet vazhdimisht t’i parandalojë rrjedhat e paparashikueshme dhe të rrezikshme për vendin. Te ne, jemi në një situatë kur vet politika, për shkaqe fare mirë të njohura, ka nisë të bëhet burim i skenarëve tej mase shqetësuese të cilat mbi të gjitha shquhen me paparashikueshmërinë e rrjedhave në këtë vend, në këtë shoqëri. Për më keq, është shumë vështirë, në mos edhe e pamundur, që brenda terminologjisë dhe përvojës së politikës në demokraci, të gjendet shpjegimi për ngjarjet e fundit në politikën kosovare.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)