Princi saudit: Nëse Irani krijon armë bërthamore edhe ne do të veprojmë njëjtë

Trashëgimtari i fronit në Arabinë Saudite, princi, Muhammad bin Salman ka thënë më 15 shkurt se Arabia Saudite do të zhvillojë armë bërthamore nëse të njëjtat i zhvillon Irani.

Bota

16/03/2018 10:05

Ai i ka bërë këto deklarata në një intervistë televizive, të cilat janë kundërshtuar nga Teherani.

Irani ka nënshkruar marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore më 2015, përmes së cilës këtij shteti i ndalohet zhvillimi i armëve bërthamore.

Sidoqoftë, presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se do të largohet nga ky pakt, ndërsa Teherani ka thënë se në momentin që SHBA-ja largohet nga marrëveshja, as Irani nuk do ta respektojë më atë.

“Arabia Sadite nuk dëshiron të ketë ndonjë bombë bërthamore, mirëpo pa dyshim se nëse Irani e zhvillon një të tillë edhe ne do të veprojmë njëjtë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë princi saudit në një intervistë për televicionin CBS.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Qasemi, ka thënë se princi saudit është “person naiv” i cili “nuk flet kurrë, mirëpo vetëm gënjen” dhe “nuk ka ide për politikë”, ka njoftuar televizioni iranian.

Mbretëria myslimane sunite ka planifikuar zhvillimin e një programit të energjisë bërthamore, i cili do të mundësonte krijimin e armëve.

Ky plan ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet me Iranin shiit në vitet e fundit.

Të dy rivalët rajonalë mbështein grupe të kundërta në dy luftërat civile në Siri dhe Jemen, si dhe përkrahin qasje të ndryshme politike në Irak dhe Liban.

Princi sudit pritet të takohet këtë javë me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili e konsideron Arabinë Saudite alet të ngushtë./REL