Princi Charles në Beograd, flet në Parlament për Nënë Terezen e Rita Orën

Princi i Wellsit, Charles, po qëndron në Serbi, në kuadër të turneut të tij në Ballkan.

Lajme

17/03/2016 22:21

Ai ka mbajtur sot një fjalim në Parlamentin e Serbisë në Beograd, ku, ndër të tjera, ka folur për pajtimin në rajon, si dhe ka përmendur Nënën Terezë dhe Rita Orën.

“Sot, njerëzit nga Ballkani janë të mirënjohur në Britani në shumë fusha: në muzikën bashkëkohore, Rita Ora (të cilën kam pasur kënaqësinë e madhe ta dëgjoj duke kënduar për here të pare në Londër javën e kaluar)…”, ka thënë princi Charles.

“Ju keni shumë heronj ikonikë nga ky rajon. Nënë Tereza ka qenë, natyrisht, një shqiptare etnike, e lindur në Maqedoni, e besimit katolik. Diçka që ajo ka thënë ofron një mesazh të rëndësishëm për të gjithë ne, çfarëdo qoftë besimi apo kombësia jonë: ajo ka thënë se ‘ne vetë ndjehemi se ajo që po bëjmë është vetëm një pikë në oqean. Por, oqeani do të ishte më i cekët po të mos ishte ajo pikë’”, ka thënë Charles në Parlamentin e Serbisë.

Ai ka shtuar se pajtimi kërkon angazhim nga të gjithë, nga udhëheqësit e shteteve dhe të besimeve, e deri te njerëzit e rëndomtë në qytetet dhe fshatrat e tyre, transmeton gazeta Express.

“Ai kërkon mbështetjen e miqve të afërt dhe të largët”, ka thënë princi Charles.

“Unë mund t’ju siguroj se Britania është me ju, teksa ju ndërtoni të ardhmen tuaj të përbashkët. Paqja dhe stabiliteti në rajon nënkupton që të gjithë ne, qoftë në Ballkan, qoftë në Mbretërinë e Bashkuar, apo kudo tjetër, do të mund të shijojmë një të ardhme më të sigurt dhe më me prosperitet. Bashkë, ne mund ta ndërtojmë këtë të ardhme”, ka thënë princi i Uellsit në Beograd.