Princesha spanjolle mund të dënohet me 11 vjet burg

Një gjyqtar spanjoll ka formalizuar të mërkurën aktakuzën kundër Princeshës Cristina, motrës së Mbretit Felipe VI, e cila dyshohet për mashtrim (fshehje të tatimeve) dhe rastin e pastrim të parave.

Bota

25/06/2014 17:22

Princesha, 49 vjeçe, ishte marrë në pyetje në gjykatë në shkurt të këtij viti, në lidhje me marrëdhëniet e biznesit të burrit të saj, Inaki Urdangarin, dhe tani pritet të përballet me gjyqin.

Megjithatë, mbrojtja ka paralajmëruar ankesë lidhur me vendimin e sotëm të gjykatës.  

Vendimi i gjyqtarit, sipas BBC-së, do të turpërojë Mbretin Felipe VI, i cili erdhi në fron vetëm gjashtë ditë më parë.

Rasti i mashtrimit që kishte të bënte me tatimet që familja mbretërore duhej t’ia paguante shtetit, ishte një nga disa skandalet që dobësuan popullaritetin e monarkisë spanjolle dhe nxiti abdikim e mbretit Huan Carlos.

Pamja e Princeshës Cristina në bankën e të akuzuarve në një gjykatë në Mallorca, ishte e pashembullt për familjen mbretërore dhe në qoftë se ajo shkon në gjyq, mund të përballet me dënimin deri në 11 vjet burg.