Princat Punëtorë

Princat William dhe Harry kanë dhënë kontributin e tyre për të shpëtuar disa zona nga vërshimet në Angli. Ata janë parë duke bartur thasë prej rëre, për të ndërtuar mure mbrojtëse që do parandalonin vërshimet. Shikoni fotot, ku Princat punojnë si krejt tjerët.

Bota

15/02/2014 08:06

Princat William dhe Harry u janë bashkuar përpjekjeve për të ndaluar vërshimet, së bashku me ushtrinë, për të mbrojtur qytetin nga rritja e nivelit të ujit.

Të veshur me çizme gome dhe me rroba që nuk përshkojnë ujin, vëllezërit mbretërorë kanë filluar punën e tyre në 6 të mëngjesit, ku kanë ndihmuar që të ndërtohet një mur mbrojtës prej thasësh me rërë, në mënyrë që të mbrohet fshati Datchet nga vërshimet.

Në një moment, Princi William iu afrua një reporteri dhe i tha: “Pse nuk e lëshon fletoren tënde dhe eja na ndihmo që të vendosim thasët?”

Më vonë, ai i tha një tjetër gazetari se “mund të ndihmonte, në vend që të merrej me kamerën e tij”.

Mbretëresha gjithashtu ka dhënë kontributin e saj, kryesisht ka shpërndarë ushqim dhe shtretër nga ferma mbretërore në Windsore, në mënyrë që të ndihmojë fermerët e prekur nga vërshimet.

Princat e filluan punën e tyre nga Datchet Gold Club dhe më pas janë zhvendosur nëpër vende të tjera së bashku me një ekip ushtarësh.

Zëdhënësi i Pallatit Kensington ka thënë: “Ata duan që të tregojnë mbështetjen e tyre për viktimat e vërshimeve dhe janë bashkuar me forcat e armatosura, duke treguar përpjekjet e tyre për shpëtim”.

Fshati Datchet është një vend mjaft i prekur nga vërshimet dhe parashikuesit e motit kanë thënë se në ditët në ardhshme priten edhe shira më të rëndë, gjë që mund ta përkeqësonte edhe më tej situatën.

Vëllezërit mbretërorë kanë një karrierë të gjatë në ushtri. Herry është akoma duke shërbyer si oficer në Household Cavalry.

Kleriku lokal Graham Leaver ka thënë se ata ishin shumë të përfshirë në shpëtim.

“Ata janë shumë natyralë. Të jem i sinqertë, ata kanë mundur që të ecnin në turmën e njerëzve këtu dhe askush nuk do t’i kishte njohur me mënyrën se si ata ishin veshur”.

“Erdhën edhe në zyrën e famullisë tonë dhe ne na u deshën disa minuta për të kuptuar se kush ishin. Ata veçanërisht ishin të interesuar që të flisnin me ushtarët”, ka thënë Kleriku Leaver.