PriFest sivjet shpërngulet në Tiranë

Edicioni i shtatë i festivalit të filmit PriFes,t i cili duhej të mbahej pas një muaji në Prishtinë, tashmë është anuluar. Këtë vendim e ka marrë menaxhmenti i këtij festivali pas vendimit të Ministrisë së Kulturës për uljen e buxhetit për këtë ngjarje kulturore.

ShowBiz

22/03/2015 15:24

Nga 22 mijë euro, sa ka qenë buxheti deri më tani, është ulur në 5 mijë, duke pësuar ulje drastike prej 78 për qind, në krahasim me gjahstë vjetët e fundit.

PriFilmFest tanimë i ka blerë edhe biletat për disa nga pjesëmarrësit, që parashihej të ishin pjesë e festivalit, e me 5 mijë euro, sipas drejtuesve të këtij festivali, është e pamundur të organizohet dhe për këtë kohë të shkurtër të gjenden fonde tjera alternativave.

Drejtoresha e këtij Festivali, Vjosa Berisha tha se një vendim i tillë është i padrejtë, por ajo bëri të ditur se në shenjë proteste festivali do të mbahet në Tiranë.

“Pas vendimit të Ministrisë së Kulturës që fondet e festivalit të ulen, siç janë ulë edhe për shumë evenimente kulturore, festivali ynë ka pësuar një ulje prej 78 % të buxhetit të cilin e kemi marrë në 6 vjetët e parë. Andaj, kemi vendosur ta anulojmë këtë vit festivalin, mirëpo sigurisht nuk do të ndalemi dhe në shenjë proteste kemi vendosur që festivali të mbahet në Shqipëri sivjet, në Tiranë, në po të njëjtat data dhe do të mbahet me emrin PriFest në Ekzil”, tha ajo.

Drejtori artistik i festivalit, Fatos Berisha shpjegon se cilat janë tri arsyet që i kanë shtyrë për marrjen e këtij vendimi.

“Është ulja drastike e buxhetit dhe jo është ulja më e madhe, më e madhja e evenimenteve kulturore që kemi parë. Më e madhja edhe në përqindje, por edhe në sasinë e parave. Dy, është një element tjetër, Ministria e Kulturës përmes Teatrit Kombëtar, që ka qenë partneri ynë për gjashtë vjet dhe vendi kryesor i mbajtjes së festivalit, përmes Teatrit Kombëtar, që është nën ombrellën e Ministrisë, nuk na ka lejuar që ta mbajmë festivalin aty. Ky element na ka bërë me dije që këta udhëheqës të kulturës nuk e donë këtë eveniment, por edhe shumicën e evenimenteve që i kemi parë në listë. Dhe, e treta, është koha kur neve na kanë jep përgjigjen. Ne kemi kërkuar shumë më herët që të na japin përgjigje, për shkak se jemi shumë afër mbajtjes së festivalit dhe koha nuk na lejon të gjejmë fonde alternative”, tha Berisha.

Sipas tij, kjo është politikë e gabuar dhe Ministria e Kulturës duhet të bëjë politika kulturore e jo politikë në kulturë. Sipas tij, ministri Shala nuk e kupton rëndësinë e këtij evenimenti të madh kulturor ndërkombëtar.

Por, PriFest do të kthehet përsëri në shtëpi, kur Kujtim Shala nuk do ta udhëheqë më kulturën, tha ai.

“Ka qenë një vendim i dhimbshëm ta anulojmë, reagimet që ne i kemi dërguar partnerëve tanë sepse ne tashmë i kemi kryer punët organizative, janë përzgjedhur filmat, është përzgjedhur juria, pra krejt këto duhet të anulohen. Kjo do të ketë një jehonë shumë të madhe ndërkombëtare se është një lajm shumë i keq për Kosovën, për industrinë e filmit, por, sidomos për imazhin e Kosovës. Mirëpo është një lajm i mirë për krejt neve që merremi me këto evenimente kulturore se mandatet e ministrave të kulturës janë të përkohshme. Dhe PriFest do të kthehet në shtëpi kur Kujtim Shala dhe një mendësi e tillë nuk do ta udhëheqë më kulturën, por do ta udhëheqin njerëz normal”, është shprehur ai.

Ata besojnë që shumë shpejt do të mblidhen të gjithë udhëheqësit e evenimenteve të dëmtuara dhe do të dalin me vendime të reja.

Vendimi që doli para pak ditësh ka treguar për ulje të buxhetit edhe për festivalet si Skena Up, Chopin Piano Fest e DAM fest. Këto dy të fundit, bashkë me PriFilm kanë edicionet e tyre shumë shpejt, prandaj duken më të alarmuara. Skena UP, në anën tjetër, edicionin e radhës e ka në dhjetor të këtij viti dhe është dëmtuar për 11 mijë euro nga Ministria e Kulturës.

Festivali PriFilmFest, me zero buxhet, bartet kësisoj në Qendrën Kulturore “Tulla” në Tiranë, që do të mbahet me datën 24 dhe 25 prill.