PriFest nuk do të mbahet në muajin prill

PriFest poashtu ka njoftuar se ky edicion do të mbahet në objektin e TKK-së, pikërisht në institucionin ku edhe e ka nis rrugëtimin, shkruan KultPlus.

ShowBiz

28/03/2017 15:13

Organizatorët e PriFest, kanë njoftuar nëpërmjet një komunikate për lëvizjen e datave të mbajtjes së këtij edicioni, sikurse që kanë njoftuar se tashmë kanë lidhur marrëveshje me TKK-në, për rikthimin e këtij festivali në objektin ku edhe kishte nisur rrugëtimin. Për të kuptuar më shumë për ndryshimet, më poshte keni komunikatën e PriFest.

Festivali më i madh në vend dhe njëherit ngjarja më e rëndësishme e industrisë së filmit në Kosovë – Prishtina International Film Festival ka bërë të ditur sot për opinionin se edicioni i 9të i këtij festivali, i paraparë për t’u mbajtur në muajin prill, ka vendosur të shtyj datat dhe të mbahet në muajin korrik në Prishtinë. Menaxhmenti i këtij festivali ka bërë të ditur se ky ndërrim i datave bëhet për disa arsye:

“ – Pas përpjekjeve tona që të organizojmë festivalin në prill sikurse vitet e fundit, arritëm në përfundim se kjo gjë është e pamundur për shkak të shumë faktorëve, dhe më të rëndësishmit janë, mungesa e hapësirës adekuate si sallë kryesore për mbajtjen e aktiviteteve të festivalit, moti i paparashikueshëm në muajin prill që nuk lë mundësi për organizimin e projeksioneve të filmit në qiell të hapur, si dhe vështirësia e vonesa për të marrë përgjigje me kohë lidhur me financat nga institucionet e ndryshme publike – partnere të festivalit për shkak se përgatitjet përkojnë me fillimin e vitit financiar.
Duke pasur këto argumente te fuqishme, ne shikuam hapësirat kalendarike në relacion me festivalet tjera rajonale dhe ndërkombëtare dhe korriku rezulton të jetë më i përshtatshëm për festivalin PriFest. Ne si menaxhment jemi shumë pozitiv se ky ndërrim do të sjell disa përparësi për festivalin, e një ndër to, kryesorja, është mundësia e përdorimit të hapësirës së Teatrit Kombëtar e cila në muajin korrik nuk ka aktivitete.

Ne na ka gëzuar pa masë lajmi që kemi marrë sot nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar që festivali në korrik mund të kthehet në shtëpinë ku dhe ka filluar aktivitetin e vet. Sigurisht, ne e mirëkuptojmë faktin se Teatri Kombëtar nuk ka pasur mundësi të ndërpresë aktivitetet e veta dinamike gjatë muajit prill, por ishte i gatshëm që të na lejojë hapësirën e vet në korrik, kur dhe përfundon sezoni i aktiviteteve të këtij institucioni. Një përkrahje e madhe në këtë drejtim na është dhënë nga vet ministri Kujtim Shala, të cilin e falënderojmë shumë, si dhe nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar dhe vet drejtori menaxhues Agim Sopi.
Në muajin korrik, përveç Teatrit Kombëtar ne do të kemi mundësi të shfrytëzojmë edhe hapësira jashtë si kinema në qiell të hapur apo ‘open-air’ dhe kjo përsëri është një avantazh i ndërrimit të datave dhe sezonit veror.

Një hapësirë tjetër që synojmë t’a përdorim është Kinemaja ABC, për të cilën presim përkrahjen e Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe drejtorit Ekrem Hajdari që të na mundësojë që ta shfrytëzojmë gjatë edicionit të nëntë të PriFest, me një çmim të volitshëm. Tani na mbetet që të punojmë shumë dhe të sjellim një edicion të suksesshëm të festivalit që do të mbahet në datat 13 deri me 20 korrik.” – u shpreh drejtoresha e festivalit Vjosa Berisha.

Festivali tanimë ka bërë shumicën e përgatitjeve dhe në program do të ketë si filma të mirë premierë ashtu edhe shumë ekspertë, mysafirë dhe aktivitete të shumta që për një javë do ta krijojnë një hapësirë shumë dinamike të kulturës dhe filmit në kryeqytet.
Marrëveshja e bërë me Teatrin Kombëtar për të shfrytëzuar hapësirën e TK për mbajtjen e festivalit, do ta kthej këtë ngjarje në fokus ku ka qenë edhe në vitet më herët duke sjellë një gjallëri të madhe në qendrën e kryeqytetit, sidomos në kohën kur Prishtina pret një numër të madh atdhetarësh nga Diaspora.

Duke qenë se ka disa muaj para se të mbahet festivali, të gjitha thirrjet për aplikim filmash – Film Entry, Best Pitch Call, Green Film Project dhe Prishtina Kino Kabaret janë të rihapura dhe PriFest vazhdon të pranojë aplikacione. Për të aplikuar vizitoni faqen e PriFest www.prifest.org/KultPlus.com