Prezantohet vizioni për Kejin në shërbim të komunitetit

Vizioni për rregullimin e hapësirës publike përgjatë lumit (Kej) në Prizren është prezantuar të martën mbrëma para banorëve të kësaj lagjeje dhe pjesëmarrësve tjerë. Versioni i parë i këtij propozimi është hartuar pas një numri të punëtorive dhe shumë diskutimeve me grupet e ndryshme të komunitetit të lagjes, ndërkohë që ai do të plotësohet edhe më tej me propozimet që vijnë nga banorët dhe akterët e tjerë.

Lajme

28/06/2017 16:24

Në prezantimin e hartuar bazuar në nevojat e komunitetit, ekspertët e involvuar në proces, Genc Gafurri dhe Betim Vitija kanë bërë të ditur se vizioni për Kejin propozon zgjidhjet për qasjen dhe lëvizjen e lirë të gjithë personave, akomodimin e aktiviteteve të ndryshme, pastaj shërbimet e reja përgjatë Kejit si dhe aspektin e rehatisë dhe sigurisë.

Sa i përket qasjes dhe lëvizjes së lirë propozohet që Keji nga Ura e Gurit e deri në Marash të jetë i lidhur në tërësinë e tij, dhe atë në tri nivele që komunikojnë ndërmjet vete, ndërkohë që me shkallë e pjerrina adekuate mundësohet qasja për të gjithë.

Në kuadër të aktiviteteve, në sektorë të caktuar të Kejit do të ketë ulëse dhe sipërfaqe gjelbërimi, ndërkohë që parashihet edhe një mini-shesh për performansa artistike, një galeri arti, kënd të lojërave për fëmijë, e ku vazhdimësia e Kejit krijon kushte edhe për mbajtjen e panaireve, festivaleve të vogla, etj.

Ndërsa dyqanet artizanale, kafiteritë sezonale e galeria e artit mund të jenë shërbime të reja përgjatë Kejit, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e atraktivitetit të tij për kalimtarët. Po ashtu parashihet edhe rregullimi i tualeteve publike.

E hijet e krijuara nga gjelbërimi i lartë synojnë që ta bëjnë këtë hapësirë të këndshme për ecje apo edhe qëndrim gjatë ditëve të nxehta, derisa vendosja e ndriçimit dhe kamerave vëzhguese do të kontribuojnë në rritjen e nivelit të sigurisë.

Pos vizionit për rregullimin e Kejit, të martën mbrëma është prezantuar edhe alternativa për shfrytëzimin e lumit e titulluar “E kam një Propozim”, që është paraqitur nga Jeton Jagxhiu.

Dokumenti i Vizionit për Kejin në shërbim të komunitetit është i hapur për plotësime dhe EC Ma Ndryshe mirëpret kontributin e komunitetit të lagjes dhe qytetarëve të Prizrenit, deri në finalizimin e tij.

“Qytetet Gjithëpërfshirëse…” është projekt i EC Ma Ndryshe, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit./Lajmi.net/