Preteni dëshmon në gjykimin e Limajt

Hasan Preteni kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit po dëshmon në gjykimin e Fatmir Limajt.

Lajme

27/05/2016 12:03

Preteni sapo ka filluar dëshminë në gjykimin ku Limaj në periudhën kur ishte ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre në lidhje me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit.

Preteni në fillim foli për misionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ndërsa pastaj shpjegoi procedurat që ky institucion ndjek kur heton kundër korrupsionit.

Preteni tregoi se në vitin 2009 agjencia që drejton mori një shkresë për korrupsion të mundshëm në ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomit.

“Ne më 6 maj 2009 kemi pranuar një shkresë në lidhej me dyshimet për korrupsion në MTPT dhe ne kemi filluar procedurat,” tha Preteni.

Preteni tregoi edhe nga kush ka ardhur kjo shkresë.

Kjo shkresë ka ardhur nga Mehmet Shkodra dhe personat që janë marrë me këtë rast nga AKK-ja ka qenë Ekrem Demolli e më vonë edhe Burim Sadiku. Parashtruesi i shkresës Mehmet Shkodra është intervistuar nga zyrtarët e AKK-së,” tha Preteni.

Mehmet Shkodra ishte një biznesmen nga Gjilani, ndërsa sms-të e tij me ish-kryetarin e Gjilanit Qemajl Mustafa janë lexuar në mars e prill të këtij viti./kallxo.com