Pret zgjedhje të rregullta, rezultatet do të jenë online

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, pret që zgjedhjet e nesërme të jenë të rregullta, por procesi nga dita e nesërme është në duar të komisionerëve. Rezultatet për parti do të fillojnë të publikohen nga mesnata, dhe ato do të jenë online. 

Lajme

07/06/2014 18:38

Kryetarja Daka, thotë se fletëvotimet në të gjithë territorin e Kosovës kanë të njëjtën stemë, dhe pranon se në lista ka emra të personave të vdekur. 

Ajo në një intervistë për KosovaPress, thotë se nëse mandati i legjislativit të ardhshëm arrinë të jetë i plotë, ajo në zgjedhjet e 2018-ës, nuk do të jenë në krye të KQZ-së. 

Duke bërë thirrje tek të gjithë që të dalin të votojnë, tregon se materiali josenzitiv është shpërndarë që nga e premtja, e ai senzitiv po shpërndahet gjatë ditës së sotme, dhe, të dielën më 8 qershor sipas saj, para hapjes së vendvotimeve gjithçka do të jetë gati. 

 “Në të gjithë Kosovën janë duke u shpërndarë, pra edhe në pjesën e veriut…..natyrisht që janë të njëjta, janë shtypë në një vend, të gjithë e kanë të njëjtën stemë, pra të gjitha fletëvotimet janë unike për gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë ajo. 

Shpreson se nuk do të ketë parregullsi, ku me 30 mijë vëzhgues të akredituar dhe me vëzhguesit e misionit të BE-së, beson se gjithaq do të shkojë në rregull. 

Daka thotë se përvoja e zgjedhjeve të kaluar që u mbajtën në fund të 2013-ës u ka dhënë mësim shumë , e për pastrimin e listave pranon që ka emra të personave të vdekur, por thotë se kjo çështje sikur është kthyer në paranojë. 

 “Kjo çështja e listave tashmë është kthyer në paranojë mund të themi, sepse është e vërtetë që ka emra të njerëzve të vdekur, ka emra të njerëzve të cilët jetojnë jashtë Kosovës dhe janë në listë votuese mirëpo mua më duhet të them se pavarësisht se sa emra të njerëzve janë në listë ata vet nuk mund të votojnë, por dikush voton në emër të tyre, dhe nëse nuk keqpërdoret kjo, në qoftë se komisionerët nuk u lejojnë njerëzve të votojnë në emër të tjetërkujt dhe as ata nuk votojnë në emër të dikujt tjetër atëherë nuk ka aspak rrezik nga emrat e të vdekurve”, thotë Daka. 

Përkundër kësaj, thotë se në këto lista janë fshirë diku rreth 20 mijë emra të personave të vdekur dhe të personave që kanë humbur shtetësinë në çfarëdo mënyrë. 

“Fatkeqësisht po, edhe pse ne jemi institucioni i vetëm që organizon dhe mbikëqyr mbarëvajtjen e zgjedhjeve, megjithatë ditën e zgjedhjeve komisionerët janë ata që në ditën e zgjedhjeve tërë procesin e kanë në dorë”. 

“Ne kemi vëzhgues, kemi edhe monitorues tonët që shkojnë në tërë territorin, por janë edhe 30 mijë vëzhgues të cilët mund të raportojnë çdo parregullsi eventuale, por megjithatë janë komisionerët ata të cilët në fund ditën e zgjedhjeve e sidomos numërimin e kanë në duart e tyre”, thotë Daka. 

Kur flet për rezultatet thotë se deri në mesnatë pritet të dalin rezultatet për subjektet politike, e për kandidatët thotë se do të merr kohë disa ditë. 

Rezultatet pritet të jenë edhe online, përmes projektit K-Vote, projekt ky që në zgjedhjet e fundit në Kosovës pati rezultuar si shumë i suksesshëm. 

Daka madje pranon se nuk do të jetë kryetare e KQZ-së në zgjedhjet e tjera që do mbahen në Kosovë, nëse do të jenë të rregullta. 

 “Mandati është shtatë vjet, pra katër vjet kaluan, dhe nëse mbahen para tri vjetëve nëse më kanë mbetur atëherë po, nëse jo, nuk do të jem. Nuk do të jem më kryetare, mjafton shtatë vjet me qenë kryetare e KQZ-së”, thotë ajo. 

Ndryshe, numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara për të marrë pjesë në këto zgjedhje, është 30 (tridhjetë), që prej tyre janë: 18 parti politike; 7 iniciativa qytetare; 1 kandidat i pavarur; dhe 4 koalicione. 

Ndërkohë për zgjedhjet e 8 qershorit do të jenë 1235 kandidatë që garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ata që do t’i votojnë do të jenë në numër 1 milion e 782 mijë e 54, përfshirë edhe komunat veriore, me shumicë serbe.