Presione e yrysh për ta marrë pushtetin

Treshes LDK-AAK-Nisma i ka humbur durimi. Isa Mustafës, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt nuk po u pritet që ta marrin pushtetin. Ata nuk po mund ta presin as vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili pritet të sqarojë mënyrën e zgjedhjes se kryekuvendarit.

Lajme

27/07/2014 10:16

Treshja tani ka filluar edhe të ‘kërcënojë’. Ata po e kritikojnë Gjykatën Kushtetuese se po përdor standarde të dyfishta në çështjen e kryeparlamentarit, ndërsa presidenten Atifete Jahjaga e kanë kritikuar për qëndrim inferior ndaj zhvillimeve të fundit në vend, shkruan gazeta Tribuna.

Kështu, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova po duket “shtet pa shtet”.

Ai ka kritikuar presidenten Atifete Jahjaga se po lejon që të rrezikohet demokracia dhe e ardhmja e vendit. “Presidentja, si i vetmi institucion me legjitimitet kushtetues, as nuk shtron pyetje dhe as nuk vepron, por lejon që të rrezikohet demokracia dhe ardhmëria e vendit. Dikush duhet ta merr përgjegjësinë”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, Mustafa.

Si shkruan Tribuna, edhe Ramush Haradinaj ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese se po përdor standarde të dyfishta pas vendimit për pezullim të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.