Presion për ujin në Prishtinë

Prishtina do të përballet me një krizë për ujë edhe 4 apo 5 muaj, në rast se nuk do të ketë reshje. Shpend Ahmeti thotë se qytetarët duhet të bëjnë presion mbi vetë atë, Qeverinë, si dhe Ujësjellësin Regjional.

Lajme

05/02/2014 18:56

Ashpërsimet e reduktimeve të ujit në Prishtinë janë shtuar, sepse në mungesë të reshjeve Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka dalë me orar të ri për të pasur rezerva, nga 4 muaj deri në 5 muajt e ardhshëm.

Zëdhënësja e Ujësjellësit të Prishtinës, Arjeta Mjeku,  ka deklaruar për KTV se reduktimet që po ngjajnë në qytetin e Prishtinës nuk do t’i prekin shumë qytetarët, pasi furnizimi me ujë do të jetë edhe për 3 apo 4 muajt e ardhshëm.

“Reduktimet realisht kanë zgjatur për 2 deri në 3 orë, realisht në disa zona edhe për 4 orë më shumë. Ato nuk do t’i prekin ndoshta shumë qytetarët, pasi që rezervat aktuale të ujit garantojnë furnizim për 3 deri në 4 muaj të ardhshëm”.

“Por, me këto reduktime që jemi duke i aplikuar besojmë se këtë kohë do e zgjasim 5 deri në 6 muaj më shumë”.

Këto reduktime duken të jenë pa efekt për shumicën e qytetarëve të Prishtinës, të cilët në orët e pakta që kanë ujë shpenzojnë më shumë duke mbushur rezervarët.

Të paktën, kështu thotë Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili gjatë ditës së mërkurë ka mbajtur një konferencë për media lidhur me këtë çështje.

“Nuk është se reduktimi e zvogëlon konsumin e ujit, për shkak se gjatë kohës kur ka reduktime qytetarët i mbushin rezervarët, vaskat në banjo, shishet, të gjitha që i kanë si rezerva nga frika se mos po mbesin pa ujë”.

“Në momentin kur vije uji, ato që nuk i kanë shfrytëzuar i hedhin poshtë dhe i mbushin prapë”.

Shpend Ahmeti ka kritikuar Qeverinë dhe ka kërkuar nga ajo të ndihmojë Ujësjellësin, e nga Ujësjellësi ka kërkuar të bëhet më serioz në zgjidhjen e problemit me ujë.

“Kërkojmë presion publik nga qytetarët e Prishtinës, sepse ne po ju themi qartas, ky problem i ujit ka zgjidhje. Kërkon angazhim nga të gjithë”.

“Presionin na bëni neve, presionin të drejtohet edhe tek Qeveria, presioni të drejtohet edhe tek Ujësjellësi Regjional”.