Presin qasje më serioze ndaj shqiptarëve

Deputeti Riza Halimi nga Partia për Veprim Demokratik, parti kjo që fitoi dy deputetë në Kuvendin e Serbisë në zgjedhjet e fundit, nuk pret që të jetë pjesë e Qeverisë së Serbisë.

Lajme

17/04/2014 22:46

Halimi tha se nga Qeveria e re e Serbisë pret që të ketë qasje më serioze ndaj problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Ne nuk kemi asnjë pretendim për të marrë pjesë direkt në qeveri, por ne jemi të interesuar që qeveria e re të jetë një partner dhe të ketë qasje serioze dhe të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve etnikë në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë”, theksoi Halimi për agjencinë Beta.

Ai shtoi se pret një thirrje për bisedë nga kryeministri i ardhshëm i Qeverisë, Aleksandar Vucic, dhe aty ai të prezantojë platformën e partisë së tij lidhur me zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët në tri komunat e Luginës së Preshevës.