Presidentja takohet me ekipin e “Tri dritare dhe një varje”

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka pritur sot ekipin e aktorëve dhe të producentëve të filmit “Tri dritare dhe një varje“, të udhëhequr nga regjisori Isa Qosja.

ShowBiz

13/08/2014 17:43

Presidentja Jahjaga e përgëzoi regjisorin Qosja dhe gjithë ekipin e filmit, i cili flet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, për punën e jashtëzakonshme me të cilën pasqyrohet realiteti për viktimat e dhunës seksuale si dhe trajtimi i tyre nga familja dhe nga shoqëria.

Jahjaga theksoi se realizimi i këtij filmi është kontribut edhe për punën e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, që synon rregullimin e statusit dhe përkujdesjen institucionale për viktimat, si dhe ndërkombëtarizimin e kësaj çështje, me qëllim që kryesit e këtyre akteve të përballen me drejtësinë.

Regjisori Isa Qosja tha se përmes këtij projekti artistik ai së bashku me artistët dhe gjithë ekipin është përpjekur të paraqesë njërën ndër plagët më të rënda që ka lënë lufta në Kosovë.

Jahjaga bisedoi me ekipin e filmit edhe për pjesëmarrje në festivalet ndërkombëtare të filmit, për punën dhe për sfidat me të cilat është përballur ekipi gjatë realizimit të këtij filmi.