Presidentja shqyrton rastin e Adnan Rrustemit

Valdete Daka ka kërkuar nga Presidentja Jahjaga të shqyrtojë “rastin e kërcënimit” nga Adnan Rrustemi i Vetëvendosjes në KQZ. Presidentja po e diskuton atë. Kjo kërkesë mund të interpretohet edhe si kërkesë për shkarkim.

Lajme

26/09/2013 17:05

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë lëndën që ka të bëjë me sjelljen e anëtarit të Vetëvendosjes Adnan Rrustemi ndaj Kryesueses së këtij Komisioni, Valdete Daka.

Një burim ka thënë për lajmi.net se Valdete Daka nuk ka kërkuar decidivisht shkarkimin e Rrustemit, por, në njëfarë mënyre, e ka nënkuptuar një kërkesë të tillë.

“Nuk është kërkesë decidive për shkarkim, por nëse lexohet mes rreshtave, i bie që Presidentja mund ta shkarkojë, nëse dëshmohet se Rrustemi ka shkelur rregullat ligjore”, ka pohuar ky burim.

Por, i kontaktuar nga lajmi.net, Selim Selimi, Këshilltar i Presidentes Jahjaga për Çështje Ligjore, nuk ka dashur të flasë.

Ai vetëm ka konfirmuar se Presidentja e ka pranuar lëndën dhe është në shqyrtim e sipër të saj.

“Nuk mund të flas për rastin përderisa Presidentja është duke e shqyrtuar atë. Nuk ka një afat kohor se kur mund të ketë ndonjë vendim eventual”, ka thënë Selimi.

Të martën, teksa po diskutonin për çështjen e listës së votuesve në KQZ, debati Rrustemi- Daka kishte degjeneruar në kërcënim.

“Ti veç je femër, se kurrë në jetën tënde nuk kishe guxu në këtë mënyrë me m’u drejtu”, i kishte thënë Rrustemi kryesueses së KQZ’së.

Daka e kishte paralajmëruar se do ta njoftonte Presidenten për sjelljet e tij. Një ditë më pas, Adnan Rrustemi i ka kërkuar falje Valdete Dakës.