Presidentja po i ikë përgjegjësisë, përfundon mandatin pa dekretuar ambasadorët e rinj

Kosova prej kohësh nuk ka ambasadorë në gjashtë shtete nga më të fuqishmet në botë. Presidentja Atifete Jahjaga i ka në tavolinë disa nga emrat e propozuar nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, për ambasadorë në këto shtete, por ajo po e zvarritë dekretimin e tyre.

Lajme

31/01/2016 14:50

Marrëdhëniet Kosovë – Japoni sa shkojnë e zbehtën. Dy ish-ambasadorët e Kosovës atje, Ahmet Shala dhe Sami Ukelli, kanë lënë mandatet në gjysmë, dhe një zyrtar i Kosovës, Ramadan Sejdiu, është arrestuar në këtë shtet, sip është thënë, për ngacmim seksual, ndërsa ka më shumë se një vit që Kosova nuk ka ambasador atje.

Krejt këto po ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me Japoninë, njërin nga shtetet më të fuqishme në botë. Për më tepër ky vend, ndër të parët që ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk  i dha Kosovës votën pro për anëtarësim në UNESCO.

Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se japonezët mos stabilitetin diplomatik të Kosovës e shohin si një dështim të shtetit të shpallur në vitin 2008. E me këtë sy Kosova nuk shikohet vetëm në Japoni.

Kosova nuk ka ambasadorë në gjashtë shtete, nga më të fuqishmet në botë.

E dekretimi i tyre nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nuk po ndodh që nga muaji shtator.

Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se Jahjaga po mundohet që këtë çështje ta kaloj në këtë gjendje deri në fund të mandatit të saj, dhe këtë përgjegjësi t’ia bart pasardhësit të saj.

E megjithatë, emrat që janë përmendur se do të dërgohen si ambasadorë apo konsullë, që të gjithë tashmë po përgatisin terrenin për të marr këtë detyrë.

Bernard Nikaj në Bruksel, Leon Malazogu në Japoni, Nazane Breca në Zvicër dhe Luljeta Vuniqi në Hungari. Këta emra kanë kaluar tashmë në komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, e të cilët janë dërguar te Presidentja.

Një kohë të gjatë është përmendur që Qëndrim Gashi do të dërgohet ambasador në Francë, por lajmi.net mëson nga burime të sigurta, se emri i tij as që është dërguar në Komisionin për Punë të Jashtme, e aq më pak te Presidentja. Atje ende ambasador është Muhamedin Kullashi.

Ndërsa, Teuta Sahatqija e propozuar si konsulle në Neë Yourk, është një nga emrat që Presidentja i është shmangur dekretimit.

Mësohet se Presidentja nuk po i dekreton këta emra me arsyetimin se të gjithë të propozuarit janë persona politik, ndërsa ligji për Shërbimin Diplomatik i Republikës së Kosovës parasheh që kuota duhet të jetë 50/50, në mes të emëruarve politikë dhe atyre të karrierës në të gjitha misionet diplomatike.

Ndërsa sipas të njëjtit ligj, raporti i Komisionit për Pune të Jashtme është konsultativ dhe nuk e detyron Presidentin e Republikës së Kosovës në dekretimin e të propozuarve.

Presidenca ka disa ditë që ka pranuar disa pyetje nga lajmi.net lidhur e këtë çështje por nuk janë përgjigjur.

Ndërsa në MPJ bëjnë të ditur se në Konfederatën e Zvicrës, Ambasada e Kosovës përfaqësohet nga Mustafë Xhemaili që është i ngarkuar me punë i përkohshëm (ad interim), në Mbretërinë e Japonisë e ngarkuar me punë të përkohshme është Rudina Bukoshi, ndërsa në Hungari është Visar Fetaj.

Gjithashtu thuhet se planet janë që të ketë edhe ndryshim të vendeve, një nga ta është që Lirim Graiçevci të dërgohet në Holandë, e në Britani të dërgohet dikush tjetër në vend të tij.

Skandalet e diplomatëve kosovarë

Skandalet në diplomaci u shfaqen sidomos me shkarkimin e zëvendësambasadorit kosovar në Kroaci, Urak Hamiti, të cilin mediat kroate e shfaqën të dehur rrugëve të Zagrebit.

Në anën tjetër, në Ambasadën e Kosovës në Berlin, sekretarja e parë, Fatmire Musliu, e cila është motra e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, sulmoi fizikisht ambasadorin e atëhershëm, Vilson Mirdita.

I ngarkuari me punë në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti, në një postim në rrjetin social “Facebook” ofendoi rëndë ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, duke e quajtur “psikopat”.

Ndërsa askush nuk flet më për skandalin e keqpërdorimit të 40 mijë eurove nga ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj. /Lajmi.net