Presidentja nderohet me çmim për lidership nga “Clinton Global Initiative”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është nderuar me çmimin për “Lidership në sferën publike”, të ndarë nga “Clinton Global Initiative”, në një gala-mbrëmje të organizuar në Neë York.

Lajme

22/09/2014 11:13

Në praninë e shumë figurave politike e publike, presidentes Jahjaga i ëshët dorëzuar ky çmim nga ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.

Pas pranimit të çmimit, ku ishte i pranishëm edhe ish=presidenti amerikan, Bill Clinton, bashkëshortja e tij, ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton dhe e bija e tyre, Chelsea Clinton, presidentja e Kosovës ka mbajtur një fjalim rasti.

Ajo ka thënë se për të është një nder i madh të pranojë çmimin për “Lidership në sferën publike” nga njerëzit të cilët përmes përkushtimit të hatashëm në sferën publike dhe lidershipit të tyre u kanë sjellë paqe dhe drejtësi miliona njerëzve.

“Zotëri President, Zonja Sekretare, e konsideroj këtë nder, këtë çmim të veçantë shpërblim për njerëzit e Kosovës, jetët e të cilëve ju i keni prekur dhe ndryshuar përjetë përmes vendimit tuaj të parandaloni gjenocidin në Kosovë, dhe duke na qëndruar pranë që atëherë për të na ndihmuar ta ndërtojmë shtetin tonë në paqe, të lirë, demokratik”.

“Para pesëmbëdhjetë vitesh, Kosova ishte vend i mbuluar nga gërmadhat. Jetët ishin thyer në mijëra copë. Familjet ishin ndarë. Shumë prej tyre përjetësisht. Lidhjet mes komuniteteve etnike ishin shkatërruar plotësisht”.

“Por nga hiri dhe nga ato momente dhembje, një vendosmëri, një vullnet i pashoq – dhe jo dëshpërim – u shfaq. Ne ishim të vendosur të ecnim tutje, të ndërtojmë një Kosovë tjetër”.

“Dhe këtë e bëmë. Përkundër shumë prioriteteve që i ka një shoqëri që sapo e ka mbijetuar luftën, me gjithë lëkundjet e tranzicionit dhe sfidat për të krijuar një shtet të qëndrueshëm, ne arritëm ta bëjmë. Sot Kosova frymon në liri dhe në paqe dhe me vetëbesim po e trason vizionin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO”.

“Si Presidente, unë jam shumë krenare që jam pjesë e kësaj përpjekje dhe që u shërbej qytetarëve dhe vendit tim”.

“Kosova – ajo Kosovë të cilën ju e çliruat dhe rindërtimin e të cilës e ndihmuat – do të vazhdojë të jetë një rrëfim i madh shprese”, ka thënë Jahjaga, përveç së cilës, në këtë mbrëmje, u nderua edhe aktori i njohur Leonardo DiCaprio, për përpjekjet e tij dhe donacionet e dhëna në mbrojtje të ambientit.