Presidentja mbështet gratë në biznes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur të mërkurën në takim një delegacion të grave në biznes, fermere dhe aktiviste për të drejtat e gruas.

Lajme

13/08/2014 14:30

Presidentja Jahjaga i ka përgëzuar gratë për punën e tyre të palodhshme dhe ka shprehur mbështetjen institucionale për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme të cilat udhëhiqen nga gratë.

Ajo ka theksuar se prioritet i punës është fuqizimi ekonomik i gruas dhe se investimi në gruan është investim në familje dhe në të ardhmen e vendit, njofton komunikata e lëshuar nga Zyra e Presidencës.

“Gratë nga biznesi, gratë fermere dhe aktiviste  për të drejtat e grave, e falënderuan presidenten Jahjaga  për mbështetjen e vazhdueshme që ka treguar për respektimin e barazisë gjinore dhe për fuqizimin ekonomik të gruas në Kosovë”.

Sipas komunikatës, ato e njoftuan Presidenten edhe me punën e angazhimin e tyre, si dhe me sfidat me të cilat përballen.

Ndryshe, në takim ishin të pranishme Xhevrie Doroci nga “Pemtaria Doroci”; Lirije Haziri nga Shoqata “Vullneti i Grave” Vushtrri; Selvete Fetahu nga Shoqata ”Shpresa e Llapit” Podujevë; Sakibe Doli, Qendra për Mbrojtjen e Grave në Gjakovë; Nazife Jonuzi, Qendra për Mbrojtjen e Grave “Liria”, Gjilan; si dhe Tahire Haradinaj, blegtore nga Vushtrria.