Presidentin nuk e refuzon vetëm PAN-i

Presidentit të vendit Hashim Thaçi, në thirrjen e tij për takim konsultativ para caktimit të datës së konstituimit të Kuvendit, i është përgjigjur vetëm koalicioni PAN. Koalicioni LAA dhe lëvizja “Vetëvendosje” e kanë refuzuar ftesën, duke thënë se takimet e tilla po blejnë kohë për manipulime të ulëta. Në takim nuk do të shkojë as Lista Serbe

Lajme

24/07/2017 09:14

Presidenti Hashim Thaçi takimin konsultativ, të thirrur ditë më parë për datën e sotit, do ta mbajë vetëm me koalicionin fitues të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, koalicionin PAN. Të gjitha partitë dhe koalicionet tjera kanë refuzuar ftesën e presidentit, duke e quajtur si një takim të panevojshëm. Madje kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se takimet e tilla po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputetë nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre.

Me të njëjtin arsyetim e ka refuzuar ftesën edhe lëvizja “Vetëvendosje”. Ndërkaq, mospjesëmarrjen e tyre në takimin e presidentit e kanë konfirmuar edhe Lista Serbe. Ndërsa, njohësit e çështjeve politike ftesën e presidentit Thaçi për takim e kanë quajtur tërësisht të pavend. Sipas tyre, presidenti Thaçi po ngatërron kompetencat e tij duke u vënë në shërbim të subjekteve politike. Ky takim, thonë ata, po bëhet për t’i dhënë kohë PAN-it, prandaj partitë refuzojnë të shkojnë, transmeton zeri.info.

LVV: Thaçi po mundohet t’ia mbulojë humbjen PAN-it

Lëvizja “Vetëvendosje” ka refuzuar ftesën e presidentit Thaçi për takimin konsultativ, duke e cilësuar si të panevojshëm. Sipas tyre, detyra e presidentit Thaçi është të caktojë takimin dhe jo të bëhet siç thonë ata shpëtimtari i PAN-it. “Ne nuk kemi asnjë obligim ligjor që të shkojmë në këtë takim. Afati ligjor për thirrjen e seancës konstituive është i përcaktuar ligjërisht dhe Thaçi, thjesht, e ka obligim kushtetues ta kumtojë ditën dhe orën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit”, është deklaruar nga kjo parti, transmeton zeri.info.

Sipas tyre, ftesa e Thaçit për takim konsultativ është përpjekje që përmes takimeve joformale të tipit parapolitik ta bëjë të paqartë thirrjen e seancës konstituive. Kjo ftesë është tendencë e qartë për të krijuar përshtypjen e krizës ku të gjithë duhet të ulen në një tryezë. Më tutje sipas tyre Thaçi e ka shfrytëzuar këtë ftesë për t’ia mbuluar PAN-it humbjen e të gjitha afateve, të cilat ata vetë i kanë caktuar.

Mustafa: Takimi me presidentin, i panevojshëm

Në anën tjetër, në takimin e thirrur nga presidenti Thaçi nuk do të marrë pjesë as Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kështu ka deklaruar dje gjatë ditës kryetari i kësaj partie  dhe kryeministri në largim, Isa Mustafa, duke thënë se këto takime janë të panevojshme, transmeton zeri.info.

“Si lider i LDK-së nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputetë nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, ka thënë Mustafa.

Një takim të tillë humbje kohe e konsideron edhe partia në koalicion me LDK-në, AKR-ja. Nënkryetari i kësaj partie, Agim Bahtiri, tha shkurt për gazetën “Zëri” se nuk do të shkojnë në takim, sepse është humbje kohe. “Jo, kjo është humbje kohe”, ka deklaruar Bahtiri.

Po ashtu as Lista Serbe nuk do të shkojë në konsultimet e thirrura nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për caktimin e datës së seancës konstituive të Kuvendit. Këtë e ka konfirmuar për “Tanjug”-un edhe kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq. “Si kryetar i Listës Serbe i falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në bisedime, por duhet t’ju njoftoj që Lista Serbe nuk do të shkojë në këtë takim”, ka thënë Rakiq, transmeton zeri.info.

Ismajli: Presidenti po ngatërron kompetencat e tij

Dashnim Ismajli, profesor universitar dhe njohës i çështjeve politike, ka thënë për “Zërin” se takimi konsultativ i presidentit Thaçi thellon edhe më shumë përçarjet mes partive politike. Sipas tij, një takim i tillë është i panevojshëm pasi presidenti Thaçi në këtë mënyrë tenton shtyrjen e konsolidimit të institucioneve.

“Një takim i tillë është i panevojshëm, tentativat e këtij lloji nga presidenti Thaçi vetëm sa e thellojnë hendekun përçarës të krijuar ndërmjet partive politike në Kosovë dhe njëkohësisht përmes kësaj bjerrakohësi, nga ana e presidentit Thaçi po tentohet të justifikohet shtyrja e panevojshme e konsolidimit të institucioneve politike në vend”, ka thënë Ismajli. Ai më tutje tha se nuk pritet ndonjë zgjidhje nga ky takim dhe se presidenti Thaçi po i ngatërron kompetencat e tij duke u sjellë si militant partiak, transmeton zeri.info.

“Nga ky takim nuk pritet të ketë zgjidhje, përderisa shumica e partive politike kanë shprehur mosgatishmërinë e tyre për një takim të ftuar nga presidenti. Edhe në bazë të përvojave nga e kaluara presidenti Thaçi nuk shquhet për ndonjë zgjidhje relevante të përbashkët që ka qenë në shërbim të institucioneve apo të shoqërisë në përgjithësi, thuajse e gjitha veprimtaria e tij është ushtruar në shërbim të interesit individual apo të një rrethi të ngushtë klanor. Mendoj se presidenti duhet t’i lërë anash këto manovrime të kota, nuk i shërben kjo neglizhencë qytetarëve dhe institucioneve vendore, njëherësh mendoj se këto veprime nuk do të rrisin po ashtu admirimin e ndërkombëtarëve për presidentin.

Ky veprim më shumë më ngjason në zemërimin e një presidenti për zhvillimet post-zgjedhore si militant partiak, që duke ngatërruar kompetencat e shpërfill rolin dhe funksionin e tij që i ka garantuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, përfundoi ai.

Basha: Takimi i presidentit, arsye për blerjen e kohës

Ndërsa Dimal Basha këtë takim e ka quajtur justifikim për t’i dhënë kohë PAN-it për formimin e Qeverisë. Për këtë arsye thotë ai partitë politike e kanë refuzuar ftesën e presidentit Thaçi. “Mendoj se thirrja e presidentit për takim me partitë në vend është vetëm arsye për blerjen e kohës dhe eventualisht ndryshimin e ndonjë mendje të ndonjë deputeti për aprovimin e qeverisë ‘Haradinaj’. Kjo është edhe arsyeja pse shumica e partive nuk pranojnë ta takojnë dhe presin që në vend të këtyre takimeve të thirret mbledhja për konsituimin e Kuvendit”, ka thënë ai. Basha tha se kjo qasje e presidentit na bën me dije që PAN-i nuk i ka numrat. “Kjo qasje na tregon se PAN-i nuk i ka ‘numrat’ siç kanë pohuar dhe kjo thirrje nga presidenti do të sjellë vonesa, por jo edhe zgjidhje”, përfundoi ai.