Presidenti: Ushtria është nderi, siguria dhe mirëqenia e Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se pas dy dekadash shumë të mundimshme, më në fund po e përmbyllim procesin e shtetndërtimit.

Lajme

14/12/2018 11:44

Përmes një statusi në Facebook, presidenti ka thënë se Ushtria është nderi, siguria dhe mirëqenia e Kosovës, përcjell lajmi.net.

Sipas tij, krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes është dhurata më e mirë për festat e sivjetme të fundvitit.

Postimi i plotë:

Ushtria e Kosovës është nderi, siguria dhe mirëqenia e Republikës së Kosovës. Pas dy dekadash shumë të mundimshme, më në fund po e përmbyllim procesin e shtetndërtimit. Në Kuvendin e Kosovës, me shumicë absolute, përtej dallimeve politike, si rrallëherë të zgjedhurit e popullit miratuan pakon ligjore për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Si shoqëri dhe shtet e kemi dëshmuar se jemi të guximshëm, të përgjegjshëm dhe dimë të qëndrojmë të bashkuar për t’i mbrojtur interesat e popullit dhe shtetit tonë. Krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes është dhurata më e mirë për festat e sivjetme të fundvitit. /Lajmi.net/