Presidenti Trump shqyrton kandidatë për shef personeli

Presidenti Donald Trump po shqyrton të paktën katër kandidatura për postin e shefit të personeli në Shtëpinë e Bardhë, pasi plani për zëvendësimin e menjëhershëm të zotit John Kelly nuk u realizua.

Bota

10/12/2018 23:05

Fillimisht, kur njoftoi për largimin e John Kelly-it në fund të vitit, u tha se zoti Trump kishte piketuar për postin e rëndësishëm Nick Ayers-in, shefin e personelit të nënpresidentit Mike Pence. Por të dielën, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump nuk kishte arritur dot një marrëveshje me zotin Ayers, lidhur me kohëzgjatjen e shërbimit të tij. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë folën me kushtin e anonimitetit për këtë çështje delikate personeli.

Nick Ayers e konfirmoi vendimin e tij përmes një tweeti ditën e dielë, duke falenderuar Presidentin dhe Nënpresidentin që i dhanë mundësinë për të punuar në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump ofroi shpjegimin e tij për ngjarjen, duke thënë se “Jam në procesin e intervistimit të disa personave të shkëlqyer për pozicionin e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë. Në lajmet e rreme po thuhet me siguri se kandidati ishte Nick Ayers, një njeri mbresëlënës, i cili ka për të qenë gjithmonë pjesë e axhendës së koalicionit MAGA. Kam për të marrë një vendim së shpejti!”- tha Presidenti.

Sipas disa burimeve, Presidenti është duke shqyrtuar disa kandidatura për postin e rëndësishëm të shefit të personelit: njëri është Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin, një tjetër kandidat është Drejtori i Zyrës së Buxhetit dhe Menazhimit Mick Mulvaney, si dhe ligjvënësi konservator republikan Mark Meadows.

Administrata Trump ka shënuar rekord kur është fjala për qarkullimin e personelit brenda një periudhe dy-vjeçare që po drejton vendin.

Roli i shefit të personelit në Shtëpinë e Bardhë është me shumë rëndësi, ai ka përgjegjësinë e mbikqyrjes së punëve në Shtëpisë së Bardhë dhe njëkohësisht koordinimin e punës së Presidentit.