Presidenti Trump, Evropa dhe Kosova

Edhe nëse Presidenti Trump do ta ruan në tërësi politikën tradicionale të Amerikës në NATO dhe me Evropën, këndejpari duhet të marrim vesh që përgjegjësia për shtetin e Kosovës bie para se të gjithash mbi ne.

Opinion

10/11/2016 10:25

Blerim Shala

Cilado përpjekje për të analizuar pasojat e zgjedhjes së Donald Trump-it President i SHBA-së, nga ky pikëshikimi kosovar, i cili gjithsesi është më i rëndësishmi për ne, do të duhej t’i merrte parasyshë disa çështje, të cilat këtu renditen duke lënë anash ato tashmë të ditura për të gjithë ne që spikatin rolin vendimtar të Amerikës në çlirimin e Kosovës.

Së pari, sikur Al Gore të zgjedhej President i SHBA-së në vitin 2000, Kosova do të bëhej shtet i pavarur brenda mandatit të tij të parë, pra, në harkun kohor 2001-2005. Sekretar i Shtetit në Administratën Gore do të ishte Richard Holbrooke, me qëndrime shumë të qarta për statusin e Kosovës, i cili sipas tij duhej të zgjidhej sa më parë, me bërjen e shtetit të Kosovës.

Së dyti, pa këmbënguljen e George W. Bush-it, Presidentit të SHBA-së (2001-2009), Kosova nuk do të bëhej shtet i pavarur as në vitin 2008, pra, do të kishim një tjetër zvarritje, me pasoja të paparashikueshme për fatin e Kosovës.

Së treti, që prej mandatit të Presidentit George Bush-it (plakut), (1989-1993), ka pasë një kontinuitet të preokupimit intenziv amerikan për Kosovën, pa marrë parasysh se a kishim të bëjmë me Administratën demokratike apo republikane në Shtëpinë e Bardhë, dhe pa marrë parasyshë kush e kishte shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve (Kongres) dhe në Senat. Çështja e Kosovës ka qenë një nga të rrallat që ka bashkuar republikanët dhe demokratët në Amerikë.

Së katërti, roli prijës i Amerikës brenda Paktit NATO ka qenë me rëndësi sipërore për Misionin e KFOR-it në Kosovë dhe për përkrahjen ndërkombëtare për ‘aterimin’ e sigurtë të shtetit të Kosovës.

Së pesti, partneriteti i Amerikës me BE-në dhe me shtetet e Quint-it  (Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia), ka qenë kusht pa të cilin nuk bën në ndërmarrjen ndërkombëtare të bërjes së shtetit të Kosovës. Në këtë kontekst vlenë të theksohet që statusi i Kosovës, apo, krijimi i shtetit më të ri në Evropë, ka qenë e vetmja temë që ka bashkuar të gjitha qeveritë dhe opozitat në pesë shtetet kryesore të Perëndimit. Diçka e tillë nuk është parë në asnjë temë tjetër ndërkombëtare.

Trajtimi dhe analizimi i këtyre pesë çështjeve është i domosdoshëm në vlerësimin e presidencës së ardhme të Donald Trump-it në Amerikë.

Natyrisht, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, politikanët dhe qytetarët, duan që shqetësimet e tyre të cilat përkojnë me faktin që një politikane e tyre e preferuar, çfarë është Hillary Clinton, nuk doli ngadhënjyese në këto zgjedhje, t’i tejkalojnë me shpresën që edhe Presidenti i 45-të i SHBA-së, do të vazhdojë një traditë gati tridhjetëvjetëshe të preokupimit amerikan me Kosovën dhe Shqipërinë.

Në fakt, politika amerikane tradicionale, njeh një kontinuitet, veçmas prej vitit 1941 (përfshirja e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore), në relacionet me Evropën. Zatën, gjithçka që është bërë për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi, është rezultat i këtij angazhimi të vazhdueshëm të SHBA-së në Evropë, e cila një herë u kërcënua nga mësymja e Nazizmit, e pastaj, e Komunizmit, për ta nënshtruar atë.

Evropa ka qenë dhe mbetet interes strategjik i SHBA-së, dhe kjo shprehet më së shumti me Paktin NATO, i cili mbeti në fuqi edhe pas shpartallimit të Bashkimit Sovjetik.

Shqetësimet më të mëdha të kryepolitikanëve evropianë me fushatën zgjedhore të Presidentit Trump, kanë të bëjnë me deklaratat e tij për rolin e Paktit NATO tash e tutje, për raportet e tij me Evropën, më në fund për marrëdhëniet e SHBA-së me Federatën e Rusisë, gjegjësisht  me relacionet e Trump-it me Putin-in.

Pa Amerikë nuk ka NATO, pa partneritetin SHBA-Evropë nuk ka stabilitet në Evropë, pa bashkëpunimin intenziv të Washingtonit me Brukselin, nuk mund të mbahet Federata e Rusisë larg Evropës.

Këto janë tri momentet kyç të cilat pritet të qartësohen nga Presidenti Trump, qysh në vitin e tij të parë si President i SHBA-së.

Pozita e Kosovës në Administratën e re amerikane, mbi të gjitha varet nga zbardhja e këtyre tri çështjeve sipërore në politikën ndërkombëtare të Presidentit të ri amerikan.

Megjithatë, edhe nëse Trump do ta ruan në tërësi politikën tradicionale të Amerikës në NATO dhe me Evropën, këndejpari duhet të marrim vesh që përgjegjësia për shtetin e Kosovës bie para se të gjithash mbi ne, si bartës të shtetit të Kosovës.