Presidenti Thaçi takon Steve Bannon – dikur ‘dora e djathtë’ e Donald Trump

Mësohet se diskutimi me Bannon, që nuk është pjesë e ekipit të Trump që nga vera e shkuar, është shtrirë në një spektër të gjerë çështjesh, me theks të veçantë në fazën finale të bisedimeve për zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mundësitë në tavolinë, për të dyja palët

Lajme

08/08/2018 16:27

Presidenti Hashim Thaçi është takuar në Prishtinë me Steve Bannon, dikur ‘dora e djathtë’ e presidentit amerikan Donald Trump dhe njeriu që e ka udhëhequr në rrafshin strategjik fushatën e vitit 2016 të Trump për president, e që më pas këtë punë e ka kryer për Shtëpinë e Bardhë.

Klan Kosova mëson se diskutimi me Bannon, i cili nuk është pjesë e ekipit të Trump që nga vera e shkuar, është shtrirë në një spektër të gjerë çështjesh, me theks të veçantë në fazën finale të bisedimeve për zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mundësitë në tavolinë, për të dyja palët.

Presidenti Thaçi, në javën e fundit, e ka prezantuar idenë e tij për korrigjim kufijsh me Serbinë, që sipas tij nënkupton bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën(duke pranuar ndryshimet kushtetuese apo referendumin si mjete finale), ndërsa ka insistuar se nuk do të ketë ndarje të vendit.

Ky takim vjen pas ripozicionimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që nënvizon se është në dorë të palëve negociuese të gjejnë zgjidhje kreative për problemin, që e ka qartësuar atë të ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili pati thënë se nuk ka vija të kuqe në këto bisedime – deklarim të cilin e pati mohuar më pas.

Se mund të përdoren zgjidhje kreative(si shkëmbimi i territoreve) pati thënë, përmes një raporti të majit të këtij viti me titull “Koha për Veprim në Ballkanin Perëndimor – Përshkrim politikash për diplomacinë amerikane”, edhe Komiteti Kombëtar Amerikan për Politika të Jashtme.

Bannon, i cili dikur ka qenë drejtor ekzekutiv i Breitbart – media online e njohur për frymën e të djathtës ekstreme, është i njohur për lidhjet me Geert Wilders dhe Marine Le Pen, të dy kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës.

I njohur për qëndrimet e tij të ekstremit të djathtë, Bannon përkrah fuqishëm lëvizjet nacionaliste, ndërsa pas largimit nga ekipi i Trump ai ka krijuar fondacionin The Movement, me bazë në Bruksel, që ndihmon populistët – me cak kryesor zgjedhjet për Parlamentin Europian në maj të vitit tjetër.