Presidenti Thaçi takoi mbretin Abdullah II të Jordanisë, merr mbështetje për INTERPOL

New York – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po udhëheq delegacionin e Kosovës në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York ka takuar sot edhe mbretin Abdullah II të Jordanisë.

Lajme

25/09/2018 18:59

Me këtë rast, presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës ndaj Jordanisë për mbështetjen e vazhdueshme për forcimin e shtetësisë së Kosovës, përmes shtimit të numrit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi dhe mbreti Abdullah II i Jordanisë kanë biseduar edhe për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar, bashkëpunimit në fushën e sigurisë  si dhe rritjes së bashkëpunimit në fusha tjera, .

“Kosova ka nevojë për mbështetjen e Jordanisë për të jetësuar anëtarësimin në Interpol, por gjithashtu për të lobuar te vendet të ndryshme për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën”, ka thënë Presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër,  mbreti Abdullah II i Jordanisë ka theksuar se Republika e Kosovës mund të llogaris në mbështetjen e Jordanisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi gjatë ditës pritet të zhvillojë edhe shumë takime tjera me krerë të shteteve të ndryshme botërore. /Lajmi.net/