Presidenti Thaçi pritet në Senatin Kanadez, bisedon me kryesuesin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot nga Kryesuesi i Senatit të Kanadasë, George Furey, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Kanadasë dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.

Lajme

22/11/2017 17:44

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës dhe shtoi se kjo përkrahje duhet të vazhdojë.

“Ashtu sikur që Kosova ka miq në botë, ashtu ka edhe kundërshtarë të projektit të Kosovës dhe tërë perëndimit dhe vlerave që përfaqëson perëndimi”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Kryesuesi Furey u shpreh i gëzuar që Kosova ka shënuar aq shumë progres për kaq pak kohë dhe shtoi se Kanada është e informuar mirë për përpjekjet për të cenuar Kosovën dhe tërë rajonin.

“Jemi të shqetësuar me përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar rajonin”, u shpreh z. Furey.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kanadaja është partner strategjik i Kosovës dhe se duhet të thellohet bashkëpunimi në mes dy vendeve./Lajmi.net/