Presidenti Thaçi përmbylli vizitën në Nju Jork

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përmbyllur vizitën e tij pesëditëshe në Nju Jork, ku ka zhvilluar takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Lajme

23/09/2017 18:17

Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, presidenti Thaçi, bashkë më Zonjën e Parë të shtetit, Lumnije Thaçi, u pritën nga çifti presidencial amerikan, presidenti Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump. I pari i vendit pati edhe një takim të shkurtër me presidentin Trump.

Kreu i shtetit ka takuar liderë botërore nga vende që e kanë njohur dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, ku ka kërkuar mbështetje për konsolidimin e pozitës së shtetit në skenën politike globale, për njohje të reja të vendit dhe për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka zhvilluar takime bilaterale me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me Ushtruesen e Detyrës së Ndihmës-Sekretares për Çështje Evropiane në Departamentin amerikan të Shtetit, Elizabeth Millard, Zëvendës-Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në takimin e organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Mirosllav Llajçak, Mbretin Abdullah II të Jordanisë, Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, Kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar, Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, Kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat, Presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina, Ministrin e Jashtëm të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ibrahim Ghandour, Sekretarin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Dr. Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen, Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, Sekretarën e Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Michaëlle Jean, Kryeministrin e Andorrës, Antoni Martí, Presidenten e Mauricius, Ammenah Gurib, Presidentin e Gajanës, David Arthur Granger, Presidentin e Sao Tome dhe Principe, Evaristo do Espírito Santo Carvalho, Kryeministrin e Togos, Komi Sélom Klassou, Kryeministrin e Ishujve Solomon, Manasseh Sogavare, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Saint Vincent dhe Grenadines, Sir Louis Straker.