Thaçi lavdëron punën e KQZ-së  

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, me bashkëpunëtorët, me të cilët bisedoi për punën e suksesshme të këtij institucioni të pavarur.

Lajme

29/04/2016 14:10

Presidenti Thaçi falënderoi kryetaren e KQZ-së, për punën e shkëlqyer në organizimin e zgjedhjeve të mëparshme, në veçanti të zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe atyre të përgjithshme më 2014.

“Puna e KQZ-së ka qenë parakusht dhe bazë e fuqishme për organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, demokratike dhe transparente. Gjithashtu, edhe sot ju falënderoj për organizimin për herë të parë të zgjedhjeve në pjesën veriore të Mitrovicës, që ka qenë një sfidë e madhe, por që ia keni dalë me punën tuaj profesionale, të përgjegjshme”, tha Presidenti Thaçi.

I pari i vendit dhe drejtuesja KQZ-së diskutuan hapat e mëtutjeshëm për funksionimin më efektiv të këtij institucioni të rëndësishëm.

Ai tha se do të punohet maksimalisht që edhe vakumet ligjore të plotësohen për një funksionim edhe më të avancuar të këtij organizimi të rëndësishëm të vendit.

“Të plotësohet Ligji për financimin e partive politike… gjithashtu Ligji për zgjedhjet lokale dhe ai për zgjedhjet e përgjithshme”, u shpreh Presidenti Thaçi, duke shtuar se duhet edhe të “fillohet të punohet për Ligjin për funksionimin e Komisionit Qendror Zgjedhor, por edhe Ligjin për funksionimin e partive politike”.

Duke folur për nevojën për reformë elektorale, Presidenti Thaçi u shpreh se “KQZ, me përvojën dhe ekspertizën e vet, do të mund të japë një kontribut shumë të rëndësishëm në këtë proces, në kuadër të të cilit është e mirëseardhur edhe ndihma e mekanizmave profesionalë ndërkombëtarë, të tillë si Komisioni i Venedikut dhe të tjerë”.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se edhe një herë e mori zotimin e presidentit Thaçi dhe të institucionit të cilin ai e drejton për punën e KQZ-së dhe për përkrahjen e KQZ-së në angazhimet e mëtejme.

“Ne pranë KQZ-së jemi të gatshëm që edhe në të ardhmen ta kryejmë punën tonë dhe obligimet tona kushtetuese”, ka thënë kryetarja e KQZ-së, Daka.

Presidenti Thaçi tha se si i pari i vendit do të përkrahë fuqishëm punën profesionale të KQZ-së, si një institucion i pavarur.