Presidenti Thaçi: Kosova s’ka kohë, duhet përfundoj demarkacioni, asociacioni dhe ushtria

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sonte ka marrë pjesë në pritjen e Ambasadës së Finlandës të organizuar në Prishtinë për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit finlandez.

Lajme

01/12/2017 18:57

Duke folur për situatën politike në vend, Thaçi ka thënë se as Kosova më nuk ka kohë për të humbur.

“Duhet t’i japim fund izolimit tonë, duke ratifikuar marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Duhet të themelojmë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, që të dëshmojmë që jemi shtet dhe popull i besueshëm”, ka theksuar ai.

Ai e ka falemnderuar kryeministrin Ramush Haradinaj për iniciativën që sa më shpejt të përfundojë procesi i demarkacionit.

Sipas Thaçit, sa më shpejt duhet të themelohen Forcat e Armatosura të Kosovës, që të japim kontributin tonë modest në ruajtën e paqes kudo në botë.

“Duhet të vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe sa më shpejt të arrijmë marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe pajtimit, si kusht kryesor për anëtarësimin e të dy shteteve respektive në strukturat euroatlantike”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për 100 vjetorin e pavarësisë së Finalndës, ku ka theksuar se gjithmonë i ka bërë përshtypje sa shumë të përbashkëta kanë Kosova dhe Finlanda.

“Të dy popujt tanë kanë pasur fatin e keq, që në veri të vendit ta kenë nga një fqinj të madh, jo fort miqësor, që ka pasur pretendime territoriale. Të dy shtetet kemi pasur fatin e keq, që forcat e tjera të na okupojnë dhe të na mbajnë nën kërcënim permanent. Të dy shtetet e kemi edhe një person të përbashkët, presidentin Ahtisari, nobelistin e paqes që realisht ishte finlandezi i duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, i cili mundësojë që Kosova të çlirohet një herë e përgjithmonë nga rreziku i okupimit”, u shpreh presidenti Thaçi. /Lajmi.net/