Presidenti Thaçi: Kosova është dhe do të mbetet tolerante ndaj besimeve

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i pari qe u prit sot për nder të festës së Kurban Bajramit nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), dhe Myftiu i saj, Naim Tërnava.

Lajme

21/08/2018 09:27

Presidenti Thaçi, me këtë rast ka uruar Myftiun Tërnava dhe të gjithë qytetarët kudo që jetojnë në Kosovë, në diasporë dhe anë e kënd botës.

“Sot është një festë e mirëkuptimit, e solidaritetit, e dashurisë dhe e respektit të njerëzve, e vizitave të ndërsjella. Prandaj, uroj që edhe sot, edhe çdo herë të ketë sa më tepër harmoni mes njerëzve, në shoqërinë tonë, prej besimtarëve tanë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet tolerante dhe në harmoni të plotë në mes besimeve.

Sipas tij, këtë e ka dëshmuar gjithmonë dhe do ta dëshmojë edhe në të ardhmen.

“Roli i Bashkësisë Islame ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka theksuar presidenti.

Ai ka thënë se sot jemi të gjithë të bashkuar në shpirtin dhe frymën e mirëkuptimit, dhe të solidaritet. /Lajmi.net/