Thaçi: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ndikon në rritjen e sigurisë rajonale

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar për Ditën e BE-së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Lajme

18/10/2018 13:37

Presidenti Thaçi ka thënë se trafikimi me qenie njerëzore është ndër shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se trafikimi me njerëz i lëndon vetë viktimat, por edhe kufijtë e shteteve tona, shoqëritë tona, ekonomitë tona, derisa në anën tjetër forcon krimin e organizuar, prek thellë edhe në vetë vlerat dhe parimet mbi të cilat ndërtohen shoqëritë liberale dhe demokratike.

“Trafikimi me qenie njerëzore i lëkundë themelet e BE-së dhe vazhdon të jetë ndër problemet më fondamentale me të cilat përballet BE-ja edhe sot. Prandaj janë të mirëseardhura mundësitë si kjo sot, që së bashku të bisedojmë për migracionin ilegal, për rreziqet që paraqet për shoqëritë dhe për masat që mund të ndërmarrim për ta luftuar atë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se Kosova ka krijuar një kornizë gjithëpërfshirëse ligjore dhe politika për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, të harmonizuara me ligjet e Bashkimit Evropian.

“I falënderoj BE-në, shtetet anëtare dhe SHBA-në për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në ngritjen e kapaciteteve për të luftuar të gjitha llojet e krimit ndërkombëtar. Policët kufitarë të Kosovës bëjnë trajnime nëpër vendet e BE-së dhe mësohen të zbatojnë politikat e FRONTEX-it edhe në Kosovë. Duke mbrojtur kufijtë e Kosovës e dimë se kontribuojmë edhe në mbrojtjen e kufijve të BE-së”, ka thënë presidenti Thaçi, thuhet në njoftimin presidencial.

Presidenti ka thënë se falë hapave që kanë ndërmarrë institucionet e vendit është shënuar edhe progres.

“Hapi i parë ka qenë informimi i drejtë i qytetarëve që nuk kanë të ardhme si emigrantë ilegalë në BE apo kudo në botë. E dyta, organet e rendit e të sigurisë kanë vepruar kundër atyre që kanë nxitur apo organizuar transportin ilegal të emigrantëve, duke i vënë para drejtësisë autorët e këtij fenomeni. Ne kemi bashkëpunuar me shtetet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen dhe vendosjen e autorëve para drejtësisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në këtë konferencë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të shumë institucioneve të Kosovës dhe ndërkombëtarë, presidenti Thaçi ka thënë se kjo ka qenë e rëndësishme jo vetëm për të luftuar vetë fenomenin, por edhe për aspiratën për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Jam i lumtur që angazhimi ynë ka marrë vlerësime pozitive nga BE dhe partnerët tanë. Kjo i ka hapur rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën dhe tani me të drejtë presim vendimin e drejtë, të merituar për qytetarët e Kosovës. Por, ky është edhe zotim se do të vazhdojmë të luftojmë me përkushtim të njëjtë trafikimin me qenie njerëzore”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi duke folur për bashkëpunimin me shtetet e rajonit, ka pohuar se për të luftuar me sukses trafikimin e njerëzve është qenësore që bashkëpunimi i mekanizmave të sigurisë të jetë i papenguar.

“Jemi anëtar në Iniciativën Rajonale për Refugjatë, Azil dhe Migracion (MARRI) dhe kontribuojmë në mënyrë aktive në punën e kësaj organizate të suksesshme rajonale. Por, është qenësore që Kosova të jetë e pranishme në të gjithë mekanizmat rajonalë e ndërkombëtarë të sigurisë. Edhe pse nuk kemi qenë pjesë e INTERPOL-it, Kosova ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafikantëve”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka theksuar se Kosova duhet të bëjë një hap përpara për të fituar betejën e vështirë me trafikantët e qenieve njerëzore. Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, sipas tij, do të ndikojë në ruajtjen e paqes dhe në rritjen e sigurisë në Kosovë, rajon dhe mbarë botën.

“Populli ynë ka qenë viktimë e dëbimeve të mëdha, shpërnguljeve, spastrimit etnik dhe e trafikimit. Prandaj, ne kemi një ndjeshmëri më të madhe për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore. Shteti i Kosovës është një produkt edhe i solidaritetit ndërkombëtar, vlerave dhe parimeve të të drejtave dhe dinjitetit të njeriut. Prandaj, sot jemi shumëfish të obliguar moralisht për të treguar kujdes të veçantë për viktimat e këtij krimi dhe të jemi të pakompromis me kriminelët”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet e sigurisë, të drejtësisë, shoqërisë civile dhe mediat, që të bëhen pjesë e kësaj lufte dhe pjesë e fitores kundër saj. /Lajmi.net/