Presidenti shqiptar dekoroi heroin kombëtar Isa Boletini me “Urdhrin e Flamurit”

Në një ceremoni, organizuar për nderë të Nëntorit-Ditës së Flamurit, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë ka nderuar figura të shquara të historisë që kanë dhënë kontribut për pavarësinë dhe çlirimin e Shqipërisë.

Lajme

29/11/2014 19:21

I pari që është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”, ka qenë heroi kombëtar Isa Boletini. Presidenti Nishani e ka vlerësuar lartë kontributin e Isa Boletinit dhënë për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë. 

Dekoratën nga Presidenti Nishani, për Heroin Isa Boletini, e ka pranuar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. 

Bahtiri e ka falënderuar Presidentin Nishani për dekoratën dedikuar heroit tonë kombëtar Isa Boletini. 

Ai i ka përcjellë presidentit Nishani nderimin dhe respektin që kanë familjarët e Isa Boletinit dhe qytetarët e Mitrovicës për të. 

“Lajmi për dekorimin e heroit Kombëtar Isa Boletini me “Urdhrin e Flamurit” na ka gëzuar pa masë të gjithëve. Duke nderuar heroin Isa Boletini dhe heronjtë tjerë të Kombit, ju Zoti president Nishani, keni nderuar veten tuaj, Boletinin, Mitrovicën, Isniqin, Vlorën, Kosovën dhe Shqipërinë, andaj edhe njëherë Ju falënderojmë nga zemra”, ka thënë ndër të tjera Bahtiri. 

Kryetari i Komunës së Mitrovicës ka takuar edhe ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.