Presidenti serbo-boshnjak kujton viktimat e Srebrenicës

Presidenti i entitetit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili ka minimizuar shpesh rëndësinë e gjenocidit mbi myslimanët e Bosnjës në Srebrenicë, u prit sot në memorialin e kësaj masakre të kryer nga forcat serbo-boshnjake, në fund të luftës ndërkomunitare të viteve 1992-1995.

Lajme

16/04/2015 20:06

I shoqëruar nga kryebashkiaku mysliman i Srebrenicës, Kamil Durakoviq, Dodik vendosi një kurorë me lule para një monumenti mbi varrezën ku prehen mijëra viktima të masakrës së kryer nga forcat serbe të Bosnjës, në korrik të vitit 1995.

“Është e vërtetë që një krim është kryer këtu dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat”, theksoi Dodik për mediat lokale.

“Por, është fakt gjithashtu se këto ngjarje janë shumë të politizuara”, vlerësoi ai.

Rreth 8,000 burra e djem myslimanë u vranë në enklavën e Srebrenicës, pak para përfundimit të luftës ndërkomunitare në Bosnjë (1992-1995). Bëhet fjalë për një ndër vrasjet më të rënda masive në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore, një masakër e cilësuar nga drejtësia ndërkombëtare si gjenocid.