Presidenti pyetet për Radojçiqin, thotë se s’takohet me ata që kanë probleme me ligjin

Presidenti Thaçi gjatë qëndrimit në fabrikën e Frutomanisë në Kravaricë të Gjilanit është pyetur edhe pse nuk është takuar me Listën Serbe këto ditë, sikurse liderët e tjerë institucionalë.

Lajme

13/07/2018 14:22

Thaçi ka thënë se takohet me përfaqësuesit politikë të të gjitha partive politike shqiptare dhe joshqiptare, por jo edhe me ata që kanë probleme me ligjin, pavarësisht etnisë që mund të kenë, duke lënë të nënkuptohet se nuk ka pranuar ta pres në takim Milan Radojçiqin e Listës Serbe.

“Unë takohem me përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare dhe joshqiptare. Takohem për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm të institucioneve të vendit në procesin euroatlantik që na pret sot dhe nesër apo tash në këtë moment shumë të rëndësishëm që e kemi edhe për liberalizimin e vizave, por edhe për të komunikuar dhe për t’iu shërbyer të gjithëve. Natyrisht se çdo përfaqësim politik që kërkon takim në Presidencë, verifikohet përbërja e delegacionit, kështu që ata që kanë probleme me ligjin, nuk mund të jenë prezentë në takimet që mban presidenti i vendit, pavarësisht nga etnia që mund të kenë”, ka thënë presidenti Thaçi./Lajmi.net/