Presidenti polak nënshkruan njërën prej tri reformave gjyqësore

Zyra e presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, tha se ka nënshkruar në ligj njërën prej tri reformave në gjyqësi, të cilat kanë shkaktuar protesta masive në këtë vend.

Bota

25/07/2017 15:40

Të hënën, Duda ka thënë se do të vërë veto mbi dy reformat që, sipas kundërshtarëve, rrisin ndikimin e politikës në gjyqësi.

Zyra e Dudës tha të martën se presidenti e ka nënshkruar reformën e tretë.

Ajo i lejon ministrit të Drejtësisë, i cili është edhe prokuror i përgjithshëm, të emërojë krerët e gjykatave më të ulëta.

Kritikët thonë se të trija reformat janë jokushtetuese, por kanë mirëpritur veton e presidentit mbi dy prej tyre.

Këto dy do t’i jepnin ministrit të Drejtësisë kompetencë për të shkarkuar të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe për të zgjedhur zëvendësimet e tyre.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar Poloninë se mund t’ia pezullojë të drejtat për votim nëse i miraton reformat e tilla gjyqësore.