Presidenti palestinez: Ende vlen pezullimi i marrëdhënieve me Izraelin

Presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, tha se ende vlen vendimi "për pezullimin e marrëdhënieve" me Izraelin që erdhi si pasojë e masave të fundit të autoriteteve izraelite në xhaminë Al Aksa.

Bota

27/07/2017 17:27

Në deklaratën e tij para mbledhjes së qeverisë palestineze në qytetin e Ramallahut në Bregun Perëndimor, Abbas tha se do të informohet nga myftiu i Jerusalemit Sheik Muhammed Husejin lidhur me situatën në Al Aksa dhe se në bazë të kësaj do të diskutojnë se çfarë vendime do të marrin.

“Tani për tani, do të flasim vetëm për kryerjen e riteve fetare në Al Aksa sërish”, tha Abbas, duke shtuar se për diskutimin e çështjeve të tjera do të mblidhen sërish.

“Gjithçka do të mbetet ashtu siç është derisa të arrijmë në një mendim. Vendimet e marra nga qeveria palestineze do të vazhdojnë në mënyrë të njëjtë. Ajo që na intereson ne është mbështetja e rezistencës së popullit tonë në Jerusalem”, theksoi Abbas.

Abbas po ashtu e ka vlerësuar rezistencën e muslimanëve dhe të krishterëve të Jerusalemit, të cilët refuzuan të gjitha kufizimet e autoriteteve izraelite, raporton Anadolu Agency.

Ai tha se punimet lidhur me hapat e ardhshëm do të bëhen duke u marrë parasysh ndodhitë në Jerusalem.

“Domethënë, ende nuk ka përfunduar çdo gjë”, shtoi Abbas.

Presidenti palestinez Abbas më 21 korrik kishte deklaruar se “kanë pezulluar të gjitha marrëdhëniet me Izraelin, derisa kjo e fundit të largojë detektorët e vendosur në portat e Al Aksasë”.

Dijetarët e Jerusalemit sot u bënë thirrje muslimanëve të hyjnë në Al Aksa, pasi izraeli zbatoi kërkesat e muslimanëve.

Kujtojmë se përshkallëzimi i situatës në Al Aksa ndodhi kur autoritetet izraelite mbyllën Xhaminë Al Aksa dhe anuluan namazin javor të së premtes për herë të parë pas gati pesë dekadash, pasi më 14 korrik policia izraelite vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa pohoi se dy policë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e incidentit.

Xhamia më vonë u rihap pasi policia instaloi detektorë metali dhe kamera në portat e saj.

Muslimanët protestuan kundër masave dhe falën namazin para portave të kompleksit, ndërsa hasën në ndërhyrje nga forcat izraelite. Përplasjet me policinë çuan në vdekjen e 11 personave, duke përfshirë tetë palestinezë.

Megjithatë, Izraeli refuzoi të hiqte detektorët, duke pohuar se masat e sigurisë ishin të ngjashme me procedurat e përdorura në vende të tjera të shenjta anembanë botës.

Duke u përkulur ndaj presionit ndërkombëtar, Izraeli hoqi detektorët e metalit më 25 korrik, por tha se një sistem i ri i mbikëqyrjes që përdor “kontrolle të zgjuara” bazuar në teknologjinë e përparuar do të vihej në vend të tyre.

Autoritetet izraelite sot në orët e hershme të mëngjesit hoqën edhe barrierat e hekurit të vendosura pranë portave të Al Aksasë.