Presidenti Meta dënon ashpër vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shpreh keqardhjen e thellë dhe dënon ashpër vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Liderit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq.

Lajme

16/01/2018 14:05

Presidenti Meta ka shprehur gjithashtu besimin se autoritetet përkatëse do ta zbardhin sa më parë këtë vrasje dhe do të venë vënë përpara drejtësisë autorët.

Meta bën thirrje për vlerësimin e situatës me qetësi e maturi dhe që ky akt kriminal të mos ndikojë në procesin e rëndësishëm të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, proces i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e rajonit tonë .

Ndryshe, mëngjesin e sotëm, Ivanoviq po shkonte në zyrën e tij, kur u sulmua nga një makinë në lëvizje. Ishin katër plumba fatalë për kreun e iniciativës qytetare SDP në Veri.

Derisa po transportohej për në spital, Ivanoviq nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Në sallën e operacionit ai u fut pa shenja jete.

Deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar rreth vrasjes së tij, ndërsa në Veri të Mitrovicës është gjetur një veturë, që dyshohet të ketë qenë e dorasit.