Presidenti kishte punë, ndërpret ndeshjen në minutën e 67-të

Të dyja skuadrat duken të kujdesshme dhe të japin përshtypjen se po kërkojnë ta çojnë takimin në shtesë. Papritur arbitri fërshëlleu fundin e takimit. Duheshin më shumë se 20 minuta, por skuadrat shkojnë direkt te penalltitë. Pse? Ishte një urdhër i ardhur direkt nga Presidenti i Republikës?

Sport

01/12/2015 12:16

Mauritani, stadiumi i Nouadhibou, qyteti i dytë më i madh i vendit afrikan.

Dy ekipe, Fc Tevragh Zeina dhe Acs Ksar po luajnë finalen e Superkupës. Është minuta e 67-të e pjesës dytë dhe rezultati është 1-1.

Të dyja skuadrat duken të kujdesshme dhe të japin përshtypjen se po kërkojnë ta çojnë takimin në shtesë. Papritur arbitri fërshëlleu fundin e takimit. Duheshin më shumë se 20 minuta, por skuadrat shkojnë direkt te penalltitë. Pse? Ishte një urdhër i ardhur direkt nga Presidenti i Republikës?

Takimi ishte fiksuar qëllimisht më 28 nëntor, përvjetori i 55-të i pavarësisë së vendit nga Franca. Festa e pavarësisë kishte shumë ceremoni në program dhe ndeshja ishte një prej tyre.

Në tribunë ishte edhe kreu i shtetit Mohamed Ould Abdel Aziz. Duket se ishte ai që nuk po e shijonte më ndeshjen.

Sipas gazetave lokale ai duhet të ishte i pranishëm edhe në një takim tjetër ndaj nga tribuna ka bërë me shenjë që ndeshja të ndërpritej dhe të nisnin penalltitë, shkruan “Lapsi.al”.

“Njëlloj si një i rritur që u bërtet fëmijeve nga ballkoni të ndërpresin lojën” – shkruajnë gazetat vendase. Mauritani zë vendin e 104-t në renditjen e FIFA-s dhe është një vend që nuk është kualifikuar asnjëherë në një kompeticion ndërkombëtar.

Pasi çështja është ndërkombëtarizuar lajmi se ndërprerja e ndeshjes u bë me urdhër të Presidentit është përgënjeshtruar. Sipas federatës, takimi u ndërpre për shkak të festimeve të shumta dhe kjo në mirëkuptim me të dy klubet. Sa për kronikë, Superkupa u fitua nga Fc Tevragh-Zeina.